RTSH 24 Live

Botë

Blinken në Egjipt, diskutime për të vendosur armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit

18/09/2024

Blinken në Egjipt, diskutime për të vendosur armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Kajro për të takuar zyrtarë të lartë egjiptianë lidhur me diskutimet për të arritur një armëpushim të mundshëm në Gazë.

Vizita e Blinken është pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të ushtruar presion me qëllim që Izraeli dhe Hamasi të vendosin armëpushim midis tyre si dhe të arrijnë marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve.

Megjithatë,  zyrtarët amerikanë nuk presin përparime gjatë bisedimeve të Blinken me zyrtarët egjiptianë.

Vizita shënon udhëtimin e tij të 10-të në Lindjen e Mesme që kur Izraeli nisi luftën në Gazë pas sulmit të Hamasit në 7 tetor të vitit të kaluar.

Sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit, Blinken do të bashkëkryesojë hapjen e Dialogut Strategjik SHBA-Egjiptian me ministrin e Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty gjatë vizitës së tij midis 17 dhe 19 shtatorit.

Ai shtoi se Blinken “do të takohet me zyrtarët egjiptianë për të diskutuar përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një armëpushim në Gazë që siguron lirimin e të gjithë pengjeve, zbut vuajtjet e popullit palestinez dhe ndihmon në vendosjen e sigurisë rajonale”.

Deklarata, megjithatë, nuk zbuloi nëse sekretari do të vizitojë vende të tjera në rajon.

Për muaj të tërë, SHBA, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për të siguruar një shkëmbim të të burgosurve, armëpushimin dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gazë. Por këto përpjekje deri më tani nuk kanë dhënë rezultat.

/rtsh.al/