RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti: Serbia pasqyron stilin autoritar të Rusisë, kërkon tensione në Kosovë

13/09/2024

Kurti: Serbia pasqyron stilin autoritar të Rusisë, kërkon tensione në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Serbia sot pasqyron stilin autoritar të Rusisë dhe kërkon vetëm të prodhojë tensione në Kosovë.

Duke folur në panelin e diskutimit “Ballkani Perëndimor dhe kriza globale - Stuhi të reja apo diell?” në kuadër të Forumit për Integrimin e Ballkanit 2024, Kurti u shpreh se sfidat me të cilat përballet rajoni janë të ndërthurura me kontekstin më të gjerë të ndryshimeve globale në aspekte të ndryshme politike dhe gjeopolitike.

Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka zbuluar rreziqet që vijnë nga regjimet autoritare. Edhe në Ballkanin Perëndimor, Serbia sot pasqyron stilin autoritar të Rusisë. Strategjia e saj është krijimi i tensioneve në Kosovë, dhe kërkimi i ndarjes së Bosnjës, duke i përdorur ato si mjet negocimi me Perëndimin për të siguruar lëshime dhe për të shmangur reformat e nevojshme”, ka theksuar Kurti.

Kryeministri tha se ajo që nevojitet është normalizimi i vet Serbisë, e cila duhet të pajtohet me faktin se epoka e zgjerimit territorial dhe ndarjeve etnike ka përfunduar.

Ai nënvizoi se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për bashkëpunim rajonal, ndërsa vijon të punojë pareshtur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

Kurti shpjegoi se në tri vitet e fundit Kosova ka shënuar rritjen më të shpejtë të treguesve demokratikë në rajon dhe rritje të lartë ekonomike, duke treguar se demokracia dhe zhvillimi ekonomik ecin krah për krah njëra-tjetrës.

Sipas njoftimit të qeverisë së Kosovës, pjesë e panelit ishin edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Malit të Zi, Filip Ivanoviq, anëtari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, deputeti i Parlamentit Evropian, Tonino Picula, dhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon. Moderator ishte Presidenti i Lëvizjes Evropiane të Malit të Zi, Momçilo Raduloviq.

/rtsh.al/