Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell i denoncoi të hënën si plotësisht të papranueshme sulmet izraelite ndaj paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në Libanin jugor.
"27 anëtarët e Bashkimit Evropian ranë dakord që t'u kërkonin izraelitëve të ndalonin sulmin ndaj UNIFIL. Është krejtësisht e papranueshme të sulmosh trupat e Kombeve të Bashkuara. Shumë shtete anëtare evropiane marrin pjesë në këtë mision dhe puna e tyre është shumë e rëndësishme”, u shpreh Joseph Borrell, Shefi në largim i Politikës së Jashtme të BE-së.
Të paktën pesë paqeruajtës u plagosën ditët e fundit pasi Izraeli goditi objektiva të grupit militant Hezbollah në Libanin jugor. UNIFIL, një mision prej rreth 9500 trupash të kombësive të ndryshme i krijuar në vitin 1978, akuzoi ushtrinë izraelite se goditi qëllimisht ndaj bazave të saj. Të dielën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i bëri thirrje shefit të OKB-së Antonio Guterres që të largojë paqeruajtësit e dislokuar në Libanin jugor, duke pretenduar se Hezbollahu po i përdorte ata si mburoja njerëzore, por UNIFIL ka refuzuar të largohet. Partneriteti i ngushtë mes vendeve evropiane për t’u bërë ballë sfidave të sigurisë ishte një tjetër çështje, ku Borrell vuri theksin gjatë deklaratës me gazetarët.
"Në këto momente të errëta me kaq shumë sfida në mbarë botën, një kontinent i fortë, sepse ne jemi pjesë e të njëjtit kontinent, kërkon një partneritet të fortë", tha Borrell.
Ai theksoi se lufta e Rusisë në Ukrainë është një tjetër çështje kyçe e diskutimeve të kryediplomatëve evropianë në Luksemburg.
/RTSH/