Opozita është duke protestuar para institucioneve shtetërore, teksa ka djegur mbrëmjen e sotme banderolën me figurën e kryeministrit Rama në godinën e Partisë Socialiste.
Pas hedhjes së molotovit ndaj godinës së Kryeministrisë dhe asaj të Partisë Socialiste, protestuesit demokratë kanë hedhur molotov edhe para Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Brendshme.
Në marshimin e tyre, protestuesit brohorasin duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama ndërsa përfaqësuesit e opozitës kërkojnë qeveri teknike.
Protesta e mbrëmjes së sotme vjen pas burgosjes së deputetit demokrat Ervin Salianji i cili u gjet fajtor për shpifje në çështjen “Babale” të nisur që prej vitit 2018, kur Salianji kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm të asaj kohe Fatmir Xhafaj teksa akuzoi edhe vëllanë e këtij të fundit si të lidhur me trafikun e drogës. Salianji, i cili po vuan dënimin në burgun e Fierit ka apeluar dënimin e tij në Gjykatën e Lartë.
Pas arrestimit të Salianjit, opozita reagoi ashpër duke protestuar dhunshëm në seancat e fundit plenare të cilat u shoqëruan edhe me djegien e karrigeve të Kuvendit. Përveç rastit të Salianjit, demokratët bëjnë thirrje gjithashtu për lirimin e Berishës nga arresti shtëpiak, i cili u vendos nën hetim nga SPAK për dyshime për korrupsion.
Në mungesë të Berishës, protesta e opozitës drejtohet nga dyshja Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, të cilët kanë shoqëruar protestuesit në godinat qeveritare, ndaj të cilave është hedhur molotov.
Opozita e ka konsideruar këtë si mosbindje civile dhe nuk parashikohen fjalime por që është e shoqëruar me tubimin e vetë protestuesve para godinave qeveritare.
Më herët, ambasada amerikane në Tiranë reagoi duke paralajmëruar qytetarët që të qëndrojnë larg protestës.
Nga ana e tyre, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë bër apel opozitës që të rifillojë dialogun me qeverinë, pasi sipas tyre dhuna nuk do ta ndihmojë vendin të integrohet në familjen evropiane.
/rtsh.al/