RTSH 24 Live

Kosovë

Stano: Formimi i Asociacionit është detyrim i kahershëm nga ana e Kosovës

02/04/2024

Stano: Formimi i Asociacionit është detyrim i kahershëm nga ana e Kosovës

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano në fjalën e tij në një konferencë për media, ka deklaruar se nëse Kosova nuk nis zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, është tregues së nuk po përkushtohet ndaj normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ai theksoi se formimi i Asociacionit, është detyrim i kahershëm nga Kosova.

"Pra, duhet në të duhet të punohet urgjentisht. Kjo është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian në nivelin më të lartë dhe në nivel të liderëve evropianë. Pra, nëse Kosova nuk arrin t'i realizojë këto, atëherë nuk do të shihet si një shenjë pozitive e vullnetit për të vazhduar në rrugën e normalizimit, e cila tani është e lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën e saj të anëtarësimit në BE", tha Stano.

Duke u ndalur te takimi që do të mbahet më 4 prill në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, Stano u shpreh se temë kyçe do jetë rregullorja e BQK-së për dinarin.

"Kjo lidhet më së shumti me çështjet që janë diskutuar javën e kaluar dhe një javë më parë në Bruksel, përkatësisht kryesisht çështjen e implikimeve apo pasojave të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e dinarit", tha Peter Stano.

/rtsh.al/