RTSH 24 Live

Televizion

Spektakli “Një natë sa një jetë’ Shpresa lulëzon si lulet - kantautori i serenatave korçare Mihallaq Andrea: Jam i fortë, dhimbjen e bëra këngë!

10/03/2024

Spektakli “Një natë sa një jetë’  Shpresa lulëzon si lulet - kantautori i serenatave korçare Mihallaq Andrea: Jam i fortë, dhimbjen e bëra këngë!

Mbrëmja e së dielës në Spektakli “Një natë sa një jetë’, e drejtuar nga Blerta Tafani, iu dedikua krejtësisht serenatës korçare dhe një prej përfaqësueseve me të denjët të kësaj këngë sikurse është kantautori Mihallaq Andrea.

Kantautori Mihallaq Andrea e ka nisur karrierën e tij muzikore që në moshë të vogël. Kur ka qenë vetëm 14 vjeç ka krijuar këngën e tij të parë, me tekstin e një të panjohure, sikurse u shpreh vetë ai.

Që prej asaj dite ai i është kushtuar krejtësisht muzikës korçare e veçanërisht serenatave, për t’u bërë më pas me zërin e tij të ëmbël, melodioz dhe krejtësisht të veçantë, pjesë e pandarë e serenatave në Korçë. Ai është cilësuar si "Këngëtari i dashurisë", "Princ i Serenatave" dhe si “Ikona e serenatës korçare”.

Këngët e Mihallaq Andrea duket sikur janë këngët tona, këngët e të gjithëve që i dëgjon të këndohen kudo.

Mihallaq Andrea i cili gjithë jetën e tij e ka jetuar mes dy sfidave, dhimbjes pas goditjes që mori vite më parë në fushën profesionale ku i duhej të jetonte pa të dyja këmbët e tij, rikuperimit dhe dëshirës për të qenë në skenë duke ringjallur shpresën për jetën.

Me një karakter vërtet fisnik që e kë ndërtuar jetën nëpër themelet e sakrificave dhe mundimeve, Mihallaq Andrea është “idili” i çifteve të rinj që serenata u dashurua si rinia.

Mjeshtri I Madh Mihallaq Andrea i ka qëndruar besnik Korçës duke u identifikuar me serenatën korçare.  Ai kujton se serenata korçare ishte e pranishme nëpër festivale të ndryshëm por pas ndikimeve të Festivalit të 11 serenata u pa si “avangarde” shfaqe e huaj.  Në vitet 70’ mund të këndoje dhe në gjuhë të huaj, dhe mendimi ynë dhe shokëve të mi ishte që në ishim vend evropian por më pas doli ajo që ndodhi.

Mihallaqi: Nuk është se jam kaq i fortë por, jam i fortë!

Kantautorin kujton mes emocioneve momentet me të cilët është përballur pas ndërhyrjes Operacionale kur ka humbur të dy gjymtyrët e tij.

“Më kujtohet si sot që, dy ditë pasi pata atë ndërhyrjen ku humba të dy këmbët, pata vëllezërit dhe motrën afër që i shikoja teksa qanin. Nuk po ndihesha mirë, por i thash vetës që duhet të jetoja kështu sikurse ishte fati im.  Nuk rrash në depresion sepse e binda veten që do jetoja me këtë fat dhe pas një jave unë fillova ta mendoja jetën kështu siç më erdhi.

Por ajo që më rrëndonte më shumë ishte që unë isha i ndaluar të kryeja aktivitet artistik sepse nuk mund të ekspozohesha.   Por në 90’ nuk e di se çfarë ndodhi dhe më morën në telefon artisti i madh, i ndjeri, Aleko Prodani që më ftoi për një recital me Estradën Profesioniste . 

-I thash- Ore mua më është ndalur, nuk mund të këndoj dot një kënge jashtë.

- Lëre këtë më tha, se morën dhe nga Komiteti i Partisë dhe u interesuan.

Kur u ngjita në skenë pas kaq kohës , kam derdhur lot. Dhimbjen e bëra këngë!

Xherahu: Mihallaqi i mori serenatën nga rruga,  duke e çuar në një tjetër dimension. 

Devis Xherahu: Një nga bashkëpunëtoret dhe këngëtarët që kanë bashkëpunuar për vite më radhë vlerësoi figurën e artistit të madh, të kantautori Mihallaq Andrea.

I privilegjuar që të jem i ftuar në këtë emision kaq fisnik , për një njeri kaq fisnik,  dhe këngëtar kaq të çmuar si Mihallaqi.  Nga ky që unë jam sot  është dhe fal mjeshtrit të madh Mihallaq Andrea nga i cili mora dhe mësimet e para. 

Më kujtohet si sot kur u takova për herë të parë më Mihallaq Andrea. Isha vetëm 19 vjeç kur takova për herë të parë , dhe më kujtohet që jam përlotur sepse Mihallaqi është ai që është.  Ai nisi të këndojë këngët “Margarita” ku nisa dhe unë të këndoja me dy zëra, dhe prej atij momenti unë u bëra pjesë e koncerteve të tij.

Mihallaqi i mori serenatën nga rruga, nga ata këngëtarët jo profesionist, duke e çuar në një tjetër dimension.  Fal albumit të tij të parë, “Margarita” bëri që serenata korçare të dëgjohej në të gjithë Shqipërinë.

Mihallaqi përveç një këngëtari është një njëri me një karakter shumë të fortë. Ai është një inspirim jo vetëm për Korçën por për të gjithë ne sepse ai e ka kthyer dhimbjen e një fatkeqësie në forcë dhe sot ai është shumë mirë se ne nga ana psikologjike.

Bledi Kaso :  Duke dëgjuar këngët e Mihallaqit , në ato kaseta të parat, kam mësuar se si ndërtohet një tekst, si ndërtohet forma e një kënge, si të rregullosh atë teknikën e zërit .  ndihem i nderuar që kam mësuar shumë prej profesorit. Është një nga ikonat e serenatës korçare.

Niki Selmanaj : Ashtu si të gjithë dhe unë jam rritur me këngët e profesor Mihallaqit. Është frymëzim për mua dhe për të tjerë.

Ai i ka bërë dhe shërbim serenatës sepse ka sjelle modelin fisnik te saj. Duke pasur privilegjin të jetojë në Korçë, ku njerëzit rriten me “shpirtin e butë”, Mihallaq Andrea ka ditur ta lëvrojë këtë zhanër muzikor.

Që të krijosh serenatën, duhet të udhëhiqesh nga sentimentalizmi shpirtëror.

Krisi Andrea, djali i Mjeshtrit të Serenatave.

Unë jam rritur me muzikën e babait tim. Muzika që ai ka krijuar për mua ka lënë mbresa dhe mund të them me bindje që është një muzikë autentike korçarë.

/rtsh.al/