RTSH 24 Live

Euro 2024

Spanja fiton në shtesë 2-1 me Gjermaninë. Shkon në gjysmëfinale, polemika për penalltinë e mohuar ndaj gjermanëve

05/07/2024

Spanja fiton në shtesë 2-1 me Gjermaninë. Shkon në gjysmëfinale, polemika për penalltinë e mohuar ndaj gjermanëve

Spanja ka fituar 2 me 1 ndaj Gjermanisë duke shkuar në gjysmëfinalen e Kampionatit Europian të Futbollit 2024. Iberikët arritën të kalojnë më tej falë golit të Merinos në minutën e 119 të ndeshjes pasi ndeshja përfundoi 1 me 1 në kohën e rregullt.

Supersfida e çerekfinales nisi furishëm me spanjollët që kërcënuan portën e Nojerit. Ndërsa gjermanët kërkonin të merrnin kontrollin e mesfushës me sfidën e nxehur mes të dyja skuadrave ku “lufta” u zhvillua në mesin e fushës së blertë.

Spanja kaloi në avantazh me anë të Dani Olmos në minutën e 51 ndërsa Wirtz ekulibroi shifrat në minutën e 89 në një barazim dramatik.

Jamal Musiala provoi me një goditje nga distanca dhe topi preku dorën e spanjollit Marc Cucurella brenda zonës së rreptësisë. Protesta  e lojtarëve gjermanë u zbeh nga arbitri anglez Anthony Taylor.

Rasti në minutën e 106: Müller kroson për Füllkrug, i cili ia kalon Musialës. Lojtari i Bajernit gjuan nga 20 metra dhe gjuajtja shkon në dorën e shtrirë të spanjollit Marc Cucurella, i cili bllokon me vendosmëri goditjen. Musiala proteston dhe trajneri i kombëtares Julian Nagelsmann bërtiti disa herë: "Dora!"

Eksperti i ARD Thomas Hitzlsperger tha se “Nuk ka kuptim për mua. Do të thosha se në nëntë nga dhjetë raste vendimi është penallti. Pse skuadra gjermane nuk e merr një të tillë këtu, kjo është e pashpjegueshme për mua.”

Bastian Schweinsteiger: “Kjo duhet të shpjegohet. Sigurisht, nuk është e qëllimshme. Por dora nuk është e lidhur me trupin. Zemra më rrjedh gjak kur shoh diçka të tillë. Toni Kroos mund të merrte një karton të verdhë-kuq sot, por ne ishim me fat. Por ishim të pafat në atë rast”

Ekspertja e arbitrave të ARD-së, Bibiana Steinhaus-Webb tha se: “VAR-i nuk mund të ndërhyjë sepse  vendimi është marrë nga gjyqtari”

Ndërkaq ka edhe një supozim se Füllkrug ishte pak në pozicion jashtë loje kur Müller krosoi. Por situata nuk është zgjidhur dhe nuk pati asnjë shpjegim për këtë rast.

Ndërkaq, iberikët do të gjejnë një prej skuadrave Francën ose Portugalinë të cilat do të luajnë në orën 21:00 të mbrëmjes së sotme.

/rtsh.al/