SPAK ka regjistruar procedim penal për Fredi Belerin, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, nën akuzën e blerjes së votave. Dosja e Belerit u përcoll nga prokuroria e Vlorës, që drejtoi hetimet deri në arrestimin e Belerit, drejt Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Beleri u arrestua në flagrancë për korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim.
Ai u arrestua më 12 maj 14 minuta pas mesnatë pasi në bashkëpunim me persona të tjerë, u kap duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.
Hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.
Në zgjedhjet e 14 majit Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash, lajm që e priti në qelitë e paraburgimit në Vlorë, ku ndodhet me masën arrest me burg me vendim të gjykatës Vlorë.
Me kalimin e dosjes në SPAK pritet të dilet së shpejti me një tjetër masë sigurie..
Arrestimi i tij solli reagimin e Athinës zyrtare që e cilësoi rastin skandaloz dhe jo në frymën e rrugës europiane të shtetit shqiptar. Tirana zyrtare kërkoi përmbajtje në deklarata ndërsa u shpreh se Greqia nuk duhet të vinte në diskutim vendimet e gjykatave shqiptare.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme greke, Theoharis Lalakos dhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi, kanë mbërritur pak më parë në Drejtorinë e Policisë Vlorë, ku ku do të takohen me Belerin.
/rtsh/