RTSH 24 Live

Aktualitet

SPAK çon për gjykim Fredi Belerin. Hetimet: Ofronte 50 euro për votë

01/08/2023

SPAK çon për gjykim Fredi Belerin. Hetimet: Ofronte 50 euro për votë

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim në GJKKO kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Belerin, i arrestuar për blerje votash, dhe bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi.

Nëpërmjet një njoftimi, SPAK bën me dije se gjatë hetimeve u analizuan përgjime audio dhe video si dhe u bë këqyrja e akteve të ekspertimit kompjuterik, nëpërmjet të cilave u provua, sipas Prokurorisë së Posaçme, përpjekja e Belerit për të blerë vota në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Sipas SPAK, Beleri i ka ofruar Arsen Ramës shumat prej 50 euro për çdo person që ai do të gjente, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023. Vetë Arsen Ramës, Beleri i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.

Shumat monetare, Beleri ia ka dhënë bashkëpunëtorit të tij, Pandeli Kokaveshi, dhe ky i fundit i ka dhënë Arsen Ramës tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do të votonin në favor të Belerit.

Në rastin konkret të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, si nëpërmjet premtimit dhe ofrimit të shumave monetare shtetasit Arsen Rama në mënyrë që ky i fundit të ndikonte tek vullneti i qytetarëve të tjerë për të siguruar vota në favor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023”, shkruan SPAK.

Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur që më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës. Në zgjedhjet e 14 majit, Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash.

Arrestimi i Belerit shkaktoi jo pak reagime politike në Shqipëri dhe në Greqi. Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis njoftoi të martën se do t’i dërgojë një letër homologëve të tij të BE-së për t'u shpjeguar pse, sipas tij, arrestimi i Belerit është “shkelje flagrante e çdo koncepti të shtetit ligjor dhe kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e çdo vendi në BE”.

/rtsh.al/