Mbahet këtë të enjte (16 nëntor) në Bruksel takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Takimi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian do të zhvillohet në kuadër të dialogut mes dy vendeve.
Sipas qeverisë së Kosovës, në takimin e sotëm, në qendër të bisedimeve do të jetë trajtimi i zbatimit të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit, Aneksit Implementues të 18 marsit dhe plani i ri për ecjen përpara i 21 tetorit.
“Ky është takimi vijues i këtij procesi pas atij të 26 tetorit me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së, ku Republika e Kosovës theksoi qëndrimet e saj e gatishmërinë për nënshkrim dhe zbatim të të marrëveshjeve”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Sakaq, Brukseli dhe SHBA-të kërkojnë nga Kosova dhe Serbia arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ku adresohen të gjitha çështjet e ngritura nga dy palët.
/rtsh.al/