RTSH 24 Live

Rajon

Shpërthimi në veri të Kosovës - Ambasadori Hill: SHBA nuk sheh prova që e lidhin me Serbinë

23/12/2024

Shpërthimi në veri të Kosovës - Ambasadori Hill: SHBA nuk sheh prova që e lidhin me Serbinë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi Christopher Hill tha SHBA nuk sheh asnjë provë që do të çonte në Beograd kur bëhet fjalë për atë se kush qëndron pas sulmit në kanalin e furnizimit me ujë Ibër-Lepenc. 

Ne nuk shohim asnjë provë që të çon në Beograd, por dikush e bëri dhe duhet të zhvillohet një hetim i plotë", tha Hill në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS, ndërsa mirëpriti përfshirjen e FBI-së në procesin e  hetimit. Më 29 nëntor në komunën e banuar me shumicë serbe Zubin Potok ndodhi një shpërthim, që dëmtoi rëndë kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, i cili furnizon me ujë disa qytete si dhe i shërben Korporatës Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve.

Policia e Kosovës bëri të ditur se sulmi është kryer me rreth 20 kilogramë eksploziv, ndërsa Prishtina fajësoi Serbinë, Beogradi zyrtar mohoi çdo përfshirje në atë ngjarje. Për shpërthimin u shoqëruan 10 persona, por dy prej tyre ndodhen në paraburgim për 30 ditë.

Sipas autoriteteve të Kosovës ky ishte sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998- 1999, ndërsa dëmet shkojnë në rreth 400 mijë euro. Sulmi u dënua ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian.

/RTSH/