RTSH 24 Live

Botë

Skadimi i afatit të tërheqjes së Hezbollahut, Libani: 15 persona janë vrarë nga forcat izraelite

23 orë para

Skadimi i afatit të tërheqjes së Hezbollahut, Libani: 15 persona janë vrarë nga forcat izraelite

Ushtarët izraelitë kanë vrarë 15 persona dhe kanë plagosur më shumë se 80 të tjerë në Libanin jugor.

Ministria libaneze e Shëndetësisë bën të ditur se ngjarja ndodhi pasi ushtria izraelite mbeti në disa pjesë të vendit pas skadimit të afatit për tërheqjen e tyre dhe largimit të Hezbollahut nga zona.

Të dielën në mëngjes, mijëra banorë u kthyen në qytete dhe fshatra përgjatë kufirit, pavarësisht paralajmërimeve nga ushtritë libaneze dhe izraelite dhe OKB-ja, se rajoni mbeti i pasigurt.

Izraeli tha se marrëveshja 60-ditore e armëpushimit me Hezbollahun nuk ishte zbatuar plotësisht dhe ishte e paqartë se sa prej ushtarëve të tij mbetën në Liban ose sa kohë do të qëndronin.

Sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, forcat izraelite sulmuan njerëzit teksa përpiqeshin të hynin në vende që ishin ende nën okupim. Ushtria libaneze tha se një nga ushtarët e saj ishte vrarë dhe një tjetër u plagos nga zjarri izraelit.

Ushtria izraelite tha se kishte lëshuar “të shtëna paralajmëruese në zona të shumta” të Libanit jugor, pa specifikuar nëse njerëzit ishin goditur dhe nëse përbënin kërcënim.

Marrëveshja e armëpushimit, e cila u ndërmjetësua nga SHBA dhe Franca dhe i dha fund konfliktit 14 mujor, përcaktoi tërheqjen e trupave izraelite dhe largimin e luftëtarëve dhe armëve të Hezbollahut nga Libani jugor. Në të njëjtën kohë, mijëra ushtarë libanezë pritej të dislokoheshin në zonën ku, për dekada, Hezbollahu ka qenë forca dominuese.

/rtsh.al/