Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash në një takim me kryeministrin Albin Kurti tha se Kosova duhet të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet. Duke iu referuar operacionit të fundit të Policisë së Kosovës ndaj ndërtesave të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në veri të vendit, ai theksoi se duhet të ruhet koordinimi i duhur mes gjitha palëve.
Sipas një njoftimi nga zura e KFOR-it në Kosovë, gjenerali turk përsëriti përkushtimin e të gjithë personelit të misionit të NATO-s për të vazhduar zbatimin e mandatit për mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Lidhur me marrëdhëniet Kosovë- Serbi, Ulutash tha se NATO-ja vazhdon ta mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet mes dy vendeve dhe për të mirën e të gjitha komuniteteve. Komandanti turk e bëri të qartë se roli i KFOR-it vazhdon të jetë thelbësor për stabilitetin rajonal. Ai kujtoi se numri i trupave paqeruajtëse është katërfishuar në Kosovë që pas tensioneve të vitit të kaluar në veri.
Ndërsa kryeministri Kurti vlerësoi komandantin Ulutash për bashkëpunimin, rolin dhe kontributin e tij dhe forcave të të KFOR-it për sigurinë dhe paqen. Më herët edhe presidentja Vjosa Osmani zhvilloi një takim me komandantin turk.