RTSH 24 Live

Euro 2024

Simboli i “Ujqërve Gri”, plas mes Gjermanisë dhe Turqisë. Policia ndalon tifozët turq, sonte në stadium edhe Erdogan  

06/07/2024

Simboli i “Ujqërve Gri”, plas mes Gjermanisë dhe Turqisë. Policia ndalon tifozët turq, sonte në stadium edhe Erdogan  

Policia e Berlinit ka ndaluar tifozët turq që kanë marshuar sot përpara çerekfinales së Euro 2024 mes Holandës dhe Turqisë. Tifozët turq janë ndaluar pasi kanë përshëndetur me simbolin e ekstremit të djathtë – i njëjti gjest që çoi në pezullimin e lojtarit turk.

Përshëndetja me simbolin e “Ujqërve Gri” - tre gishtat e dorës së bashku me gishtin tregues dhe gishtin e vogël të ngritur lart formojnë kokën e ujkut - lidhet me lëvizjen ultranacionaliste turke të cilën qeveria gjermane e konsideron raciste dhe antisemite.

Gjatë marshimit, tifozët turq kanë përshëndetur me simbolin e “Ujqërve Gri”. Prandaj, policia ndaloi marshimin dhe u bëri thirrje tifozëve që të mos bënin simbole të tilla. Mesazhet politike s’kanë vend në marshimet e tifozëve”, tha policia berlineze.  

Në kuadër të përplasjeve diplomatike mes Berlinit dhe Ankarasë mbi simbolin e “Ujqërve Gri”, në ndeshjen e mbrëmjes së sotme midis Holandës dhe Turqisë në Olimpiastadionin e Berlinit, do të marrë pjesë presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Mbrojtësi Merih Demiral festoi dy golat e tij kundër Austrisë në raundin e 16-të me të njëjtën  përshëndetje duke bërë që ai të pezullohet me dy ndeshje nga UEFA, gjë të cilën trajneri Vincenzo Montella e konsideroi si krejt “të padrejtë”.

Ndërkaq, ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, dënoi veprimet e Demiral, duke thënë se “simboli i ekstremistëve të djathtë turq nuk ka vend në stadiumet tona”.

Nga ana tjetër, Turqia thirri ambasadorin e Gjermanisë në Ankara si notë proteste ndaj komenteve të Faeser. Një ditë më pas Berlini bëri të njëjtën gjë me të dërguarin e Turqisë në Gjermani.

Gjermania, e cila është shtëpia e komunitetit më të madh të emigrantëve turq në Evropë, i është dashur të përballet me këtë ngjarje, ku shumë turq edhe sot kanë bërë simbolin e “Ujqërve Gri”.

Lëvizja e ekstremit të djathtë mori zhvillim nga vitet 1960 e më tej si krahu rinor i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), aleate e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) që është në pushtet. Në të kaluarën grupi ka qenë i lidhur me vrasje të shumta politike të aktivistëve kurdë dhe atyre të majtë.

/rtsh.al/