RTSH 24 Live

Muzikë

Emrat e mëdhenj të muzikës shqiptare në FEST63, shumë pranë zbulimit të këngëtarëve pjesëmarrës

2 orë para

Emrat e mëdhenj të muzikës shqiptare në FEST63, shumë pranë zbulimit të këngëtarëve pjesëmarrës

Vetëm dy ditë na ndajnë nga zbulimi i këngëtarëve që do të garojnë në Festivalin e 63-të të Këngës në Radio Televizion Shqiptar. Ky festival është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit, jo vetëm për skenën kombëtare, por edhe për faktin se fituesi do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës (Eurosong) që do të zhvillohet në maj të vitit 2025 në Bazel, Zvicër.

Këngët tashmë janë dorëzuar dhe aplikimet për pjesëmarrje janë mbyllur më 29 shtator. Tani, një komision i posaçëm ka nisur punën për përzgjedhjen e këngëve që do të ngjiten në dy netët konkurruese të Festivalit. Komisioni do të vlerësojë këngët për cilësinë e muzikës dhe tekstit, por edhe për komponentë  të tjerë artistikë, ndërkohë që një nga kushtet kryesore është që këngët të jenë të pa publikuara më parë, duke garantuar autenticitetin e tyre. Një tjetër pikë kufizon pjesëmarrjen e kompozitorëve me vetëm një këngë, për t’i dhënë mundësinë sa më shumë krijuesve të prezantojnë veprat e tyre në këtë skenën prestigjioze të muzkës, i cili ka ndikim të madh në karrierën e artistëve shqiptarë.

Ndërkohë, emocionet rriten pasi pjesëmarrësit pritet të jenë një kombinim i emrave të njohur të skenës muzikore shqiptare dhe talenteve të rinj që janë në hapat e tyre të parë drejt suksesit. Vetëm njëri ose njëra prej tyre do të ketë mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në skenën ndërkombëtare të Eurosong 2025.

Skena europiane këtë vit do të zhvillohet në Bazel, qyteti i tretë më i madh në Zvicër, i cili do të mirëpresë talentet më të mëdha të kontinentit, pas fitores së këtij vendi në Eurosong 2024 me këngëtarin Nemo. Gjysmëfinalet e Eurosong do të mbahen më 13 dhe 15 maj, ndërsa finalja e madhe më 17 maj. Pritet që së shpejti të dalin në shitje biletat për këtë ngjarje madhështore, duke përfshirë edhe provat përkatëse.

Ndërsa presim zbulimin e listës së artistëve që do të ngjiten në skenën e FEST63, emocionet dhe pritshmëritë janë të mëdha. Publiku i festivalit është sy e veshë për të zbuluar këngët pjesëmarrëse por dhe kandidatët për të nisur kalkulime se cili prej tyre do të ketë privilegjin të përfaqësojë Shqipërinë në një nga skenat më të rëndësishme të muzikës europiane.

/rtsh.al/