RTSH 24 Live

Muzikë

Një ditë nga finalja e “Junior Fest 2024”, dy moderatorët: Privilegj që na u besua. Këtë vit do kemi 6 çmime

26/09/2024

Një ditë nga finalja e “Junior Fest 2024”, dy moderatorët: Privilegj që na u besua. Këtë vit do kemi 6 çmime

Një ditë na ndan nga nata finale e “Junior Fest 2024”, ekskluzivitet i RTSH-së, ku sot do të mbahet edhe prova gjenerale. Festivali do të zhvillohet në Sallën e Orkestrës Simfonike të RTSH, ku çdo detaj i skenografisë është përfunduar dhe 18 fëmijët do të ngjiten për herë të parë në skenë për të interpretuar këngët e tyre.

Këtë vit, moderimi i “Junior Fest 2024” i është besuar dy aktorëve Julian Hurdha dhe Anxhelo Shkreli, të cilët u shprehën të emocionuar, por njëkohësisht edhe të vlerësuar që Drejtoresha Artistike e Festivalit, Migena Kraja i besoi projektin.

“Ftesa na ka ardhur nga Drejtoresha Artistike e festivalit, Migena Kraja. Na është bërë një propozimi dhe ne e pranuam me kënaqësi pa u menduar dy herë. Është privilegj kur të propozohet për shkak të punës, kur thonë që ju kemi ndjekur në radio dhe propozojmë që të vini si “paketë”. Për mua është më shumë përgjegjësi se sa sfidë”, u shpreh Juliani.

“Sigurisht ne na ka ndihmuar fakti se vijmë nga bota e artit dhe jemi të dy aktor dhe komunikimin e kemi pikën tonë më të fortë. Na ka ardhur si propozim të dyve, ku prej më shumë se 3 vitesh ne moderojmë së bashku emisionin e mëngjesit në radio Tirana 1. Është një dyshe që ka funksionuar gjithmonë për sa i përket moderimit. Çdo punë ka dinamizmin dhe problematikat e saj, dhe kjo është një sfidë më vetë dhe hynë te sfidat e bukura”, u shpreh Anxhelo.

Në një intervistë për RTSH 24, dy moderatorët zbuluan se këtë vit do të ndahen 6 çmime.

“Do kemi 6 çmime, 3 çmimet  e para, mes të cilëve është edhe fituesi që do na përfaqësoj në Junior Eurovision, çmimi i Vokalit Më Të Mirë, çmimi Teksti Më I Mirë dhe çmimi inkurajues Robert Radoja. Të gjitha çmimet do jepen nga juria”, tha Juliani.

Moderatorët zbuluan se prezantimi nuk do të jetë statik, por do të ketë ndërhyrje edhe nga backstage.

“Ajo që veçojmë është se do jetë shumë emocionuese se dy moderatorët nuk do të jenë statik. Nëse unë jam në skenë Anxhelo do jetë në backstage me fëmijët, pra do kemi dinamikë dhe energji ku gjethka do të lulëzojë njësoj si slogani i festivalit”, tha Juliani.

“Ne jemi në brezin e teknologjisë dhe kemi prekur pak inteligjencën artificiale duke iu afrua botëkuptimit të fëmijëve, por surprizat do shihen nesër në natën finale”, tha Anxhelo.

Fokusi i të gjithë  festivalit do të jetë te fëmijët, ndërsa puna me ta nis që në prapaskenë, gjatë provave dhe deri në natën finale ku do të lulëzojnë në skenën e “Junior Fest 2024”. Nata finale e “Junior Fest 2024” do të zhvillohet më 27 shtator në Sallën e Orkestrës Simfonike të RTSH, ku krahas 18 finalistëve do të performojnë edhe të ftuar specialë, ndërsa surprizat do të jenë të shumta.

Fituesi i “Junior Fest 2024” do të përfaqësojë Shqipërinë në “Junior Eurovision” që do të mbahet në Madrid të Spanjës më 16 nëntor. “Junior Fest 2024” do të transmetohet në RTSH1 HD, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana 1.

/rtsh.al/