RTSH 24 Live

Ekonomi

Shqipëria rrit kapitalin pranë Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës

12/09/2023

Shqipëria rrit kapitalin pranë Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës

Në parlamentin shqiptar, Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi të martën rezolutën e bordit drejtues të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), për rritjen e kapitalit të Shqipërisë pranë kësaj banke.

Më 2 dhjetor 2022, bordi drejtues i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB) miratoi rezolutën për rritjen e kapitalit të nënshkruar të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), në shumën 4.25 miliardë euro.

“Në zbatim të kësaj rezolute, Shqipëria ftohet të nënshkruajë certifikatat e reja të pjesëmarrjes, me vlerë 10 386 000 euro. Rezoluta përcakton përqindjen e kapitalit të paguar për këtë rritje të kapitalit, në masën 28,24% të kapitalit të nënshkruar. Kapitali që duhet të paguajë Shqipëria është 2 933 006 euro. Dhe pjesa tjetër do të jetë e ndarë në tre këste në vitet në vijim", tha përfaqësuesja e ministrisë së financave dhe ekonomisë. Pas nënshkrimit të kësaj resolute, Shqipëria do të zotërojë 13 771 aksione, me një vlerë totale 24 milionë euro.

Në datën 24 qershor 1999, Shqipëria ka aderuar në dokumentin bazë të CEB-it, si anëtar i saj, dhe zotëron 13 385 aksione, me një vlerë totale prej 13 385 000 eurosh.

Çdo vend anëtar pranë këtij organizmi financiar duhet të pranojë kushtet dhe afatet e rezolutave që do të adoptohen nga Bordi Drejtues i CEB-it

Shqipëria ka qenë dhe mbetet një përfitues i fondeve të CEB-it, si financues apo bashkëfinancues i projekteve të ndryshme të zbatuara në fushën e kohezionit social. Në këtë kontekst, pjesëmarrja e saj në këtë rritje të kapitalit do të kontribuojë në rritjen e qëndrueshmërisë financiare të Bankës, duke mbështetur kështu misionin e CEB-it për të promovuar kohezionin social në shtetet pjesëmarrëse.

Në cilësinë e vendit anëtar, Shqipëria vlerësohet të ketë përfituar nga fondet e CEB-it, grante dhe hua, me kushte/terma lehtësuese, në vlerën e rreth 237 milionë eurove në sektorë prioritarë si, arsimi, shëndetësia, emergjencat e COVID-19, mbështetje për SME-të dhe krijimin e vendeve të punës, rimëkëmbja nga fatkeqësitë natyrore etj.

Kreditë shtetërore të përfituara nga CEB-i përllogariten në vlerën prej 222.65 milionë eurosh, të akorduara këto nëpërmjet 13 kredive. 

Peshën më të madhe të këtij financimi e zë: financimi për mbështetje buxhetore (për COVID-19) me 26.95%, duke vijuar me financim për zhvillimin e zonave rurale me 21.06%, sektorin e transportit me 17.97%, sektorin e shëndetësisë me 16.69%, sektorin e arsimit me 10.65% dhe strehimit me 6.68%.

/ rtsh.al /