Emetimi i një Eurobondi me vlerë 650 milionë euro është konsideruar nga kryeministri Edi Rama si dalja "më e suksesshme" e Shqipërisë në tregjet e kapitalit.
Eurobondi u emetua më 11 shkurt me një kupon 4,75 për qind dhe me një normë interesi 5 për qind përgjatë dhjetë viteve, deri në shkurt 2035.
“Ky është emetimi më i suksesshëm ndonjëherë për sa i përket tre gjerave. Së pari, interesit të investitorëve të huaj, të cilët ofruan 4,3 herë më shumë sesa nevoja jonë. Madje gjatë ditës, oferta shkoi në 5,7 herë më shumë se nevoja jonë, gjë që na bëri të ulim normën e interesit për të larguar një pjesë të investitorëve. Ky mbulim është më i larti i regjistruar në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që prej tetorit 2024.
Së dyti, numri më i lartë i investitorëve, me 159 të interesuar.
Së treti, norma më e ulët e interesit për Shqipërinë. Kjo tregon pozicionimin dhe respektin e Shqipërisë në treg. Shqipërisë po i besojnë të gjithë çdo ditë e më shumë. E di që këneta politiko-mediatike mbase nuk i japin hapësirat për ta përcjellë këtë lajm,” komentoi kryeministri Rama nga Mynihu, qyteti ku ndodhet për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë.
Kjo ishte hera e shtatë që Shqipëria i drejtohet tregjeve të kapitalit, që prej emetimit të parë në vitin 2010. Eurobondi atëkohë u emetua me vlerë 300 milionë euro, maturim 5-vjeçar dhe interes 7,5 për qind.
Ministria e Financave sqaroi se me emetimin e fundit është arritur marzhi më i ulët i normës së interesit se në çdo dalje tjetër.
"Transaksioni tejet i sukseshëm i emetimit të Eurobondit 2025 nënvizon disa arritje kyçe të daljes së Republikës së Shqipërisë, në tregjet e kapitalit, që janë:
- Raporti i mbulimit ndër më të lartët të arritur, prej 4.3 herë dhe më i larti ndër emetimet e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që nga tetori 2024;
- Marzhi (spread) më i ulët, kundrejt të gjitha obligacioneve të emetuara nga Republika e Shqipërisë;
- Diferencë e konsiderueshme e marzhit final prej 50 pikë bazë, në krahasim me momentin e shpalljes së transaksionit (në 5% nga 5.5%). Mesatarisht, prej 2019-ës, ky indikator për emetimet e obligacioneve 10-vjeçare për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore është 25-35 pikë bazë;
- Shpërndarje dhe diversifikim i gjerë gjeografik i investitorëve. Numri maksimal i investitorëve që shfaqën interes arriti në 195, duke u konsideruar, si emetimi që pati tërheqjen më të lartë të investitorëve të huaj.
- Krahasuar me emetimet e Evropës Qendrore dhe Lindore, emetimi i Republikës së Shqipërisë u mundësua me kushte financiare tepër të favorshme edhe pse me një vlerësim më të moderuar nga agjencitë ndërkombëtare, në krahasim me vende, si Serbia dhe Rumania," njoftoi Ministria e Financave.
Qeveria shqiptare e sheh Eurobondin jo vetëm si një instrument për të siguruar likuiditet, por edhe për të matur besimin e investitorëve në obligacionet e shtetit shqiptar. Ministria thekson se ka disa faktorë për rritjen e besimit dhe të kërkesës së investitorëve në këtë drejtim, si: rritja e vlerësimit të Shqipërisë si një ekonomi stabël, vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare (FMN, Komisioni Europian) dhe përparimi në procesin e integrimit europian.
/rtsh.al/