RTSH 24 Live

Kosovë

Shpërthimi në Zubin-Potok, Hovenier: SHBA nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron prapa sulmit

13 orë para

Shpërthimi në Zubin-Potok, Hovenier: SHBA nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron prapa sulmit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se SHBA-të nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut. Ai theksoi se nuk përjashton asnjë grup apo shtet që mund të ketë qenë shkaktare në këtë sulm.

Pas takimit të mbajtur me Kryeministrin Albin Kurti, Hovenier garantoi edhe njëherë mbështetjen e SHBA për institucionet e Kosovës.

“Në këtë pikë, Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron prapa sulmit. Është herët për një gjë të tillë dhe këto gjëra kërkojnë hetim të kujdesshëm. Ajo që mund të them është se institucionet e Kosovës kanë mbështetjen tonë. Gjithashtu nuk jam në gjendje të përjashtoj asnjë grup, shtet apo ndonjë gjë tjetër. Është shumë herët, nuk e dimë ende”, u shpreh Hovenier.

Një shpërthim i fuqishëm mbrëmjen e 29 nëntorit shkaktoi dëme në kanalin ujësjellës të Ibër-Lepencit në Kosovë, që shërben për të furnizuar popullatën vendase me ujë, por edhe për energjinë elektrike.

Kryeministri Kurti akuzoi Serbinë si shkaktare të asaj që e konsideron një sulm terrorist.

/rtsh.al/