Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen ditën e nesërme në mënyrë të veçuar me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
Takimet e ndara të Kallas me Kurtin dhe Vuçiçin u konfirmuan nga zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper.
Ajo përsëriti qëndrimin që BE-ja shprehu një ditë pas sulmit në Varragë të Zubin Potokut, duke e cilësuar sulmin si terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për të zbuluar kryesit e sulmit dhe që ata të përballen me drejtësinë. Lidhur me takimet që do të zhvillojë Kallas në Bruksel, Hipper ka sqaruar se ato nuk do të jenë në kuadër të dialogut.
“Në lidhje me Kosovën, ne e kemi lëshuar një deklaratë të përfaqësuesit të lartë i cili i ka dënuar sulmet terroriste dhe mirëpret faktin që tani autoritetet e Kosovës po e hetojnë këtë çështje. Autorët duhet të sillen para drejtësisë. Sa i përket EULEX-it, si i tillë, ju e dini se që nga viti 2018, EULEX-i nuk ka mandat ekzekutiv për të bërë hetime. Por si i tillë, EULEX-i është duke e monitoruar situatën. Po ashtu, EULEX-i ishte i pranishëm në kërkimet e bëra dhe për të siguruar mbështetje. Kjo është diçka që EULEX-i dhe KFOR-i, po e bëjnë brenda mandatit të tyre. Tani sa i përket pyetjes së dytë, do të ketë edhe një takim që do të mbahet nesër mes përfaqësuesit të lartë, zëvendësresidentit me liderët e Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo.
Ajo shtoi se sikur për sulmin në Banjskë, ashtu edhe në Zubin Potok, nevojitet bashkëpunim nga të dyja palët.
Ditëve të fundit, Kurti dhe Vuçiç kanë këmbyer akuza për sulmin në Zubin Potok. Kosova e fajëson Serbinë për sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Serbia mohon se qëndron prapa sulmit dhe ka thënë se ka nisur hetimet e veta për këtë rast.
Autoritetet e Kosovës deri më tani kanë arrestuar disa persona të dyshuar për këtë rast dhe kanë sekuestruar armë dhe pajisje të tjera ushtarake gjatë operacioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit. Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
/rtsh.al/