RTSH 24 Live

Botë

Shpërthimi në Liban, Garda Revolucionare Islamike e Iranit: S’ka të vrarë nga radhët tona

23 orë para

Shpërthimi në Liban, Garda Revolucionare Islamike e Iranit: S’ka të vrarë nga radhët tona

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit ka hedhur poshtë pretendimet se ndonjë nga anëtarët e saj të jetë vrarë në sulmin e pajisjeve “bipers” që shpërthyen në Liban.

“Disa media që raportojnë se anëtarë të Gardës Revolucionare u martirizuan në sulmin terrorist me “bipers” në Liban, por raportimet janë të rreme”, tha një prej zëdhënësve të Gardës Revolucionare të Iranit për agjencinë iraniane të lajmeve Mizan.

Reagimi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit vjen pasi gazeta Arabe Saudite Al-Hadath bëri të ditur se në sulmet ndaj grupit terrorist të Hezbollahut janë vrarë gjithashtu 19 anëtarë të IRGC.

Sipas këtyre raportimeve, vdekjet ndodhën në rajonin Deir Ezzor në Sirinë lindore dhe 150 anëtarë të tjerë të IRGC-së u plagosën.

Ndërkaq, më herët, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mohoi pretendimet se Shtetet e Bashkuara kishin informacione paraprake për sulmin vdekjeprurës në Liban, ku shpërthyen qindra “bipers” të pjesëtarëve të Hezbollahut.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur informacion dhe as kanë qenë të përfshira në këto incidente. Po mbledhim informacione dhe po mbledhim faktet. Në përgjithësi, kemi qenë shumë të qartë dhe mbetemi shumë të qartë për rëndësinë që të gjitha palët duhet të shmangin çdo hap që mund të përshkallëzojë më tej konfliktin që ne po përpiqemi të zgjidhim në Gazë”, tha Blinken në një konferencë shtypi në Kajro, ku po zhvillon bisedime për zgjidhjen e konfliktit Izrael-Hamas.

Blinken theksoi gjithashtu se nuk është ende e qartë se çfarë ndikimi do të kenë shpërthimet në operacionet e grupit terrorist të mbështetur nga Irani.

/rtsh.al/