RTSH 24 Live

Botë

Hungaria kritikon presidentin e KE-së: Largimi i Varhelyi, pjesë e hipokrizisë së Brukselit për politikën e zgjerimit

8 orë para

Hungaria kritikon presidentin e KE-së: Largimi i Varhelyi, pjesë e hipokrizisë së Brukselit për politikën e zgjerimit

Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto kritikoi presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për largimin e Oliver Varheli nga posti i Komisionerit për Zgjerimin e BE-së, duke thënë se vendimi i saj ishte pjesë e hipokrizisë së Brukselit në lidhje me politikën e zgjerimit.“Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë pritur mbi 14 vite për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, gjë që tregon se si shumica në bllok është kundër zgjerimit" - tha Szijjarto gjatë një konference të përbashkët shtypi me ministren e ekonomisë të Serbisë.

Ai këmbënguli se deklaratat publike pro-zgjerimit të zyrtarëve të BE-së binin në kundërshtim me atë që të njëjtët thonë pas dyerve të mbyllura gjatë takimeve në Bruksel. Szijjarto këmbënguli gjithashtu se vendet që kanë avancuar në procesin e negociatave të pranimit në BE donin që Varhelyi të qëndronte në detyrën aktuale. Kryediplomati hungarez tha se vendi i tij do të bëjë gjithçka për të siguruar që vendet e Ballkanit Perëndimor të mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

Sipas përbërjes së re të kabinetit të Komisionit Europian, të publikuar në fillim të javës, Oliver Varhelyi nuk do të jetë më komisioner i Zgjerimit, pasi në vend të tij, presidentja Fon der Lajen caktoi ish-diplomaten sllovene Marta Kos. Tashmë do të jetë kjo e fundit që do të angazhohet në përgatitjen e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, ndërsa Varhelyi është caktuar Komisionier i Shëndetit dhe Mirëqënies së Kafshëve.

/RTSH/