RTSH 24 Live

Botë

PE njeh Edmundo González si president legjitim të Venezuelës

5 orë para

PE njeh Edmundo González si president legjitim të Venezuelës

Parlamenti Evropian ka njohur si president legjitim dhe të zgjedhur në mënyrë demokratike të Venezuelës, Edmundo Gonzalez Urrutia.

Sipas Parlamentit Evropian, BE do të bëjë maksimumin për të siguruar që Edmundo González Urrutia, të marrë detyrën më 10 janar 2025 teksa ndodhet në azil politik në Spanjë.

Në një rezolutë të miratuar sot me 309 vota pro, 201 kundër dhe 12 abstenime, Parlamenti “dënon me forcë dhe refuzon plotësisht mashtrimin zgjedhor të orkestruar nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor i kontrolluar nga regjimi venezuelas, i cili refuzoi të bënte publik rezultatin zyrtar”.

Në këtë mënyrë, eurodeputetët kanë njohur Edmundo González Urrutia si presidentin legjitim dhe të zgjedhur në mënyrë demokratike të vendit dhe María Corina Machado si udhëheqësen e forcave demokratike në Venezuelë, ndërsa kanë dënuar me forcë lëshimin e urdhër-arrestit nga qeveria e Venezuelës ndaj Gonzálezit.

Eurodeputetët theksojnë se pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar, regjimi i Venezuelës ka dështuar të respektojë Marrëveshjen e Barbados të vitit 2023 midis qeverisë Maduro dhe opozitës në lidhje me zgjedhjet presidenciale, duke bërë të pamundur që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sipas PE-së, raportet nga misionet ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve thonë qartë se zgjedhjet presidenciale në Venezuelë të 28 korrikut 2024 nuk përmbushën standardet ndërkombëtare të integritetit zgjedhor.

Ata dënojnë gjithashtu në termat më të ashpër të mundshëm vrasjet, ngacmimet, shkeljet dhe arrestimet e kryera kundër opozitës demokratike, popullit venezuelas dhe shoqërisë civile, duke bërë thirrje për t'i jepet fund shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut.

Parlamenti i kërkon BE-së të rivendosë sanksionet kundër anëtarëve të Këshillit Kombëtar Zgjedhor dhe bën thirrje për zgjatjen e sanksioneve të regjimit dhe për zgjerimin e fushës së tyre për të aplikuar sanksione të synuara përmes Regjimit Global të Sanksioneve të të Drejtave të Njeriut të BE-së kundër Nicolás Maduro dhe rrethit të tij të ngushtë.

Eurodeputetët mirëpresin rolin që po luajnë qeveritë e Brazilit, Kolumbisë dhe Meksikës dhe u bëjnë thirrje aktorëve rajonalë dhe komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojnë presion maksimal mbi regjimin e Maduros dhe rrethit të tij të ngushtë për të pranuar vullnetin demokratik të popullit venezuelas, duke njohur Edmundo González Urrutia si President legjitim dhe i zgjedhur në mënyrë demokratike. Nëse kjo nuk ndodh, Parlamenti paralajmëron se do të pasojë një eksod i ri emigrantëve në vendet e tjera të rajonit, i ngjashëm me atë që ka bërë që afër tetë milionë venezuelas të largohen nga vendi vitet e fundit”, thuhet në deklaratën e Parlamentit Evropian.

/rtsh.al/