RTSH 24 Live

Botë

Shpërthimet në Liban, Blinken: SHBA s’ka gisht në sulmin ndaj Hezbollahut  

24 orë para

Shpërthimet në Liban, Blinken: SHBA s’ka gisht në sulmin ndaj Hezbollahut  

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka mohuar pretendimet se Shtetet e Bashkuara kishin informacione paraprake për sulmin vdekjeprurës në Liban, ku shpërthyen qindra “bipers” të pjesëtarëve të Hezbollahut.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur informacion dhe as kanë qenë të përfshira në këto incidente. Po mbledhim informacione dhe po mbledhim faktet. Në përgjithësi, kemi qenë shumë të qartë dhe mbetemi shumë të qartë për rëndësinë që të gjitha palët duhet të shmangin çdo hap që mund të përshkallëzojë më tej konfliktin që ne po përpiqemi të zgjidhim në Gazë”, tha Blinken në një konferencë shtypi në Kajro ku po zhvillon bisedime për zgjidhjen e konfliktit Izrael-Hamas.

Blinken theksoi gjithashtu se nuk është ende e qartë se çfarë ndikimi do të kenë shpërthimet në operacionet e grupit terrorist të mbështetur nga Irani.

Sipas faqes së lajmeve “Axios”, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant telefonoi Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së Lloyd Austin disa minuta para sulmit për të thënë se Izraeli ishte gati të kryente një operacion në Liban, por pa dhënë detaje.

“Axios” ka cituar një zyrtar amerikan, i cili tha se telefonata e Gallant ishte për të informuar SHBA-të në atë që po ndodh në Lindjen e Mesme.

Gjithashtu, dje zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mattheë Miller mohoi  përfshirjen e SHBA-ve.

SHBA nuk ishte e përfshirë. Shtetet e Bashkuara nuk ishin në dijeni të këtij incidenti paraprakisht dhe në këtë pikë, ne po mbledhim informacione”, tha ai gjatë një konference për shtyp.

12 persona u vranë dhe rreth 2,750 të tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi të pajisjeve “bipers” që mbaheshin nga pjesëtarët e Hezbollahut, një sulm që pretendohet se është kryer nga Izraeli.

/rtsh.al/