RTSH 24 Live

Ekonomi

Shoqata e Ndërtuesve letër kryeministrit për rritjen e barrës fiskale

12/09/2023

Shoqata e Ndërtuesve letër kryeministrit për rritjen e barrës fiskale

Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave për ndryshimin e çmimeve të referencës për banesat në qarkun e Tiranës është kundërshtuar në një konferencë të posaçme për shtyp nga Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë (SHNSH).

"Me këtë VKM që futet në mes të këtij zinxhiri, i gjithë ky plan biznesi i shoqërive të ndërtimit çekuilibrohet, prishet dhe ka efekte financiare të pallogaritshme. Efektet janë gati marramendëse për ata që janë në proces," tha Luigj Aleksi, President Nderi i SHNSH-së.

Efektet që sjell ky ndryshim nënligjor prekin, jo vetëm kompanitë në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë, por sidomos të klientët e tyre, blerësit e shtëpive të banimit, kur transferohet çdo ndryshim fiskal.

"Kjo e rrit në mënyrë të ndjeshme gjithë koston e një bilanci të sipërmarrjes së ndërtimit. Shqetësuese mbetet siguria juridike. Nëse nuk kemi siguri juridike për aktivitetet që bëjmë, atëherë i bie që çdo sipërmarrës do të bëjë një analizë të thelluar nëse duhet të investojnë në këtë sektor apo jo," u shpreh Nikolin Jaka, ndërtues dhe kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Tiranës.

Shoqata deklaroi se për shqetësimet e mësipërme i ka dërguar një letër me shpjegimet përkatëse, kryeministrit të vendit dhe disa ministrave, duke kërkuar zgjidhje të këtij shqetësimi.

Kompanitë e ndërtimit përfaqësojnë një sektor të industrisë që përbën rreth 10 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, duke qenë promotori kryesor i rritjes ekonomike vitin e kaluar, por kontributi i tij në punësim shënoi rënie në të njëjtën periudhë.

Të dhënat e INSTAT referojnë se sektori i ndërtimit u rrit me 20.6% gjatë vitit të kaluar, por kontributi në punësimin total ishte 7.6%, nga 8.1% që ishte në vitin 2022.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh.al/