Nga një destinacion kryesisht veror, Shkodra, me shtrirjen nga Alpet deri në det, po kthehet në një qendër turistike gjithëvjetore, duke tërhequr vizitorë vendas e të huaj falë pasurive natyrore, kulturore dhe përmirësimit të infrastrukturës.
Sipas drejtuesve të turizmit në bashki kjo është e dukshme edhe në këtë fillim viti me frekuentimin që kanë disa nga destinacionet e njohura turistike, veçanërisht Thethi.
"Edhe në këto ditë të para të vitit, kryesisht fundjavat, ka pasur kërkesa nga vizitorët nga Shqipëria, por ka pasur edhe të huaj. Një pjesë e madhe kanë shijuar borën në alpet shqiptare," tregon Renato Lumci, drejtor i Turizmit në bashkinë e Shkodrës.
Disa prej investimeve që po realizohen në infrastrukturën rrugore pritet të kenë ndikim të konsiderueshëm në zhvillimit e mëtejshëm të turizmit në bashkinë e Shkodrës, duke nxitur jo vetëm rritjen e numrit të turistëve, por edhe gjallërimin në sektorët e shërbimeve.
"Një ndër projektet më madhore është rruga e Dukagjinit. Do krijojë Unazën e Alpeve, që do të lidhet me Thethin, dhe besoj kjo do të jetë ndër vendet më të kërkuara në Shqipëri nga të huajt. Pa dyshim është edhe pjesa e Shirokës me rrugën që do të lidhë Zogajn dhe kalimin në Krajn në Malin e Zi, e cila do t'i japë një zhvillim ndërkufitar zonës së liqenit," thotë z. Lumci.
Përveç pasurive natyrore, oferta kulturore e Shkodrës është një tjetër pikë e fortë.
Zgjerimi i sezonit turistik dhe diversifikimi i aktiviteteve përbëjnë bazën e një të ardhmeje premtuese për turizmin edhe për këtë vit.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/