RTSH 24 Live

Aktualitet

Shisnin mallra kontrabandë, policia sekuestron produkte në vlerën 150 mijë euro

19/09/2023

Shisnin mallra kontrabandë, policia sekuestron produkte në vlerën 150 mijë euro

Policia e Tiranës ka zbuluar një subjekt të paregjistruar në organet tatimore, në të cilin magazinoheshin mallra të kontrabanduara në sasi të mëdha, me vlerë 150 000 euro.

Nisur nga kjo është vënë në pranga administratori dhe magazinieri i këtij subjekti, si dhe një shtetas tjetër që tregtonte me pakicë këto mallra. Policia ka sekuestruar 305 pako, 145 koli dhe 13 thasë me mallra dhe produkte të ndryshme.

"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe të Kërkimit, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e krimeve ekonomike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Best cargo".

Si rezultat u bë arrestimi i shtetasve L. K., 31 vjeç, G. P., 41 vjeç dhe E. D., 40 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në një subjekt (magazinë) të paregjistruar në organet tatimore, me administrator shtetasin G. P. dhe magazinier shtetasin L. K., gjetën dhe sekuestruan mallra dhe produkte të ndryshme. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi E. D. furnizonte dyqanin e tij, me këto mallra, për t’i tregtuar ato me pakicë.“- thuhet në njoftimin e policisë.

/rtsh.al/