RTSH 24 Live

Serbi

Serbia kërkon SHBA të përfshihet më shumë në dialog për çështjet me Kosovën

11/07/2024

Serbia kërkon SHBA të përfshihet më shumë në dialog për çështjet me Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Republikës së Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se ka pasur rastin të bisedojë me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, në Uashington, në margjinat e Samitit të NATO-s dhe se e ka ftuar për vizitë. Serbisë.

Në deklaratën e tij për mediat në pritjen për gazetarët serbë në Ambasadën e Serbisë në Uashington, ministri Gjuriq theksoi se dialogu në nivelin më të lartë politik me SHBA-të është i nevojshëm si për vazhdimin e bashkëpunimit ekonomik ashtu edhe për zgjidhjen e çështjeve “ me të cilat nuk pajtohemi”, siç është çështja e Kosovës dhe Metohisë.

“Ne kemi nevojë për një dialog në nivelin më të lartë politik me SHBA-të, jo vetëm për të vazhduar rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë sonë, sepse Amerika është partneri numër një për sa i përket shërbimeve, dhe pikërisht në fushat që lidhen me teknologjitë e larta dhe atë që është motori i zhvillimit të ekonomisë sonë, por ky bashkëpunim na duhet edhe për të zgjidhur ato çështje për të cilat nuk pajtohemi, siç është çështja e statusit të Kosovës dhe Metohisë, por që nuk mund të zgjidhen në mënyrë pozitive pa angazhim aktiv të nivelit më të lartë politik në SHBA”, tha ministri Gjuriq.

I pyetur nëse Serbia është më afër Perëndimit pas pjesëmarrjes në samit, ai tha se nuk beson se një pjesëmarrje apo një deklaratë mund të shënojë një ndryshim strategjik, por mendon se përpjekjet e vazhdueshme të bëra në Uashington gjatë viteve të fundit " çojnë në atë që pozita e Serbisë në këtë pjesë të botës është më e mirë se sa ishte disa vite më parë”.

“Nuk dua të shkoj një hap më tej dhe të shpjegoj se çfarë kemi bërë këtu në punën time të mëparshme, por mund të them vetëm se jam i kënaqur dhe se me mbështetjen e presidentit Vuçiq dhe Qeverisë, Serbia po ndryshon imazhin e saj në komunitetit ndërkombëtar, duke projektuar një imazh ndryshe, të ri, pozitiv, që hap dyert për investime, por edhe për diskutime për problemet globale në një mënyrë që na pozicionon si aktor konstruktiv në bashkësinë ndërkombëtare”, tha ministri Gjuriq.

 

/rtsh.al/