Veprimet e fundit të ndërmarra nga institucionet e Kosovës në veri të vendit kanë zemëruar serbët në atë pjesë të vendit. Si pasojë i ashtuquajturi Asociacioni i Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës paralajmëroi se nga 6 shtatori, serbët do të organizojnë bllokime të rrugëve në të gjitha pikat kufitare me Kosovën, ndërsa kërkojnë që Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i vendit.
Lidhur me këtë paralajmërim reagoi edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë. KFOR-i tha se është e rëndësishme të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione të panevojshme. Ai tha se po i ndjek nga afër zhvillimet aktuale dhe po vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së për të kontribuar për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes në çdo kohë në mënyrë të paanshme.
Më herët edhe Ministria e Jashtme u bëri thirrje shtetasve të Kosovës dhe emigrantëve kosovarë që të shmangin pikë kalimet kufitare me Serbinë pas paralajmërimeve se këtë javë do të bllokohen rrugët që çojnë drejt vendkalimeve mes dy vendeve. Ky institucion u kërkoi qytetarëve të ndjekin zhvillimet mbi situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Kosovës, për të shmangur dezinformatat.
/RTSH/