Sëmundja e meningjitit është rikthyer në vëmendje në vend, pas një rasti fatal në fund të vitit të shkuar dhe infektimit të një 14-vjeçari në Durrës disa ditë më parë. Sirenat e alarmit janë ngritur edhe për mundësinë e rasteve të tjera në Shqipëri, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik ka bërë thirrje për një kujdes të shtuar.
Doktoresha Aurora Dollenberg, në një lidhje për emisionin “Mirmëngjes Shqipëri”, ka sqaruar simptomat e kësaj sëmundje dhe rrezikun që ajo paraqet për shëndetin, kryesisht të fëmijëve. Dollenberg sqaron se rreziku vjen nga meningjiti bakterial, teksa theksoi se arsyeja se përse shpërthen herë pas here nëpër shkolla apo kopshte është mungesa e vaksinimit. Mjekja i bëri thirrje prindërve që të mos hezitojnë por të vaksinojnë fëmijët, pasi sëmundja e meningjitit mund të çojë deri në fatalitet.
“Është sinonim për një sëmundje të rëndë dhe jo rastësisht sepse e kaluara ka treguar se është shoqëruar edhe me vdekje. Meningjiti nënkupton një infeksion të cipave që mbështjellin trurin, por edhe palcën kurrizore. Arsyet fillojnë që nga bakteret, viruset, edhe myku mund të shkaktojë meningjit. Por për rrezikshmëri veçohet meningjiti bakterial sepse është i vetmi që mund të shkaktojë edhe fatalitete. Arsyet pse është kaq i rrezikshëm është sepse vetë truri ka një barrierë shumë të dobët kur bëhet fjalë për baktere shumë të fuqishme siç mund të jetë meningokoku, nga vjen edhe emri apo streptokoku, pra kur kemi një infeksion të bajameve, ku është kryesisht streptokoku arsyeja. Nëse infeksioni nuk trajtohet siç duhet që në fillim, këto baktere me anë të gjakut mund të shkojnë deri në cipën e trurit. Është futur edhe si vaksinë me detyrim. Një ndër arsyet pse nëpër shkolla apo kopshte shpërthen herë pas here meningjiti është fakti sepse disa prindër janë kundër vaksinimit në total, përfshirë edhe atë të meningjitit. Këto fëmijë që shkojnë në shkollë apo kopshte dhe me anë të pështymës, kollitjes e transmetojnë bakterin fëmijëve të tjerë që mund të jenë të vaksinuar, por kanë një sistem imunitar të dobët. Mjafton një fëmijë për të infektuar një grup të tërë dhe është një shqetësim i jashtëzakonshëm”, u shpreh mjekja.
Ndalur te simptomat, Dollenberg tha se meningjiti fillon si çdo sëmundje infektive, por simptoma tipike që e dallon është ngurtësia e qafës. Ajo theksoi se nëse prindërit apo mësuesit vërejnë një simptomë të tillë te fëmija, duhet ta dërgojnë menjëherë në spital dhe jo te mjeku i familjes.
“Fillon me një temperaturë të lartë, vijon me dhimbje muskulare, pro ajo që është tipike që nuk ngatërrohet me asnjë sëmundje tjetër është ngurtësia e qafës. Fëmijët priren që muskujt e qafës t’i kenë aq të ngurtë sa po të përpiqemi që kokën e fëmijës ta përkulim përpara, nuk është e mundshme. Ata kanë një mbishtrirje të kokës nga mbrapa sepse ky infeksion i cipës së trurit bën që edhe muskujt e qafës të jenë aq të ngurtësuar sa kemi një bllokadë të muskujve. Në momentin që prindit apo mësuesit shohin që fëmija ka një qëndrim të çuditshëm të kokës dhe kur e prekim muskujt janë të fortë si gur, atëherë kjo është shenjë alarmi. Nuk duhet t’i çojnë te mjeku i familjes, apo në pediatri, pro në spital sepse kanë nevojë për një trajtim të shtuar. Koha është një faktor vendimtar ndaj shpëtimit nga meningjiti bakterial”, sqaron mjekja.
/rtsh.al/