RTSH 24 Live

Televizion

Selimllari: E kam nisur nga të qenit nënë, është një shprehje që thonë “nga fëmijët mëson shumë.....”

15/05/2024

Selimllari: E kam nisur nga të qenit nënë, është një shprehje që thonë “nga fëmijët mëson shumë.....”

Valbona Selimllari ka rrëfyer në “Jetë Shqiptare” në RTSH1 se si nisi ideja e saj për projektin më të ri në Radio Televizionin Shqiptar me emisionin “ Po sikur...”.

Është një program që unë dhe Eda Kodheli, që është autorja e kemi ideuar me shumë dashuri. Ka disa vite në fakt, që para pandemisë e kemi nisur si ide dhe më pas pandemia bëri të vetat. Së fundmi mundëm ta nisim dhe jemi në RTSH me një program dhe në fakt i takon RTSH-së më shumë se çdo televizioni tjetër sepse RTSH-ja është televizioni ynë”, u shpreh Selimllari.

E pyetur se përse programi është përqendruar te adoleshentët, Selimllari theksoi se ajo është nëna e dy adoleshentëve dhe sipas saj, gjithçka ka nisur nga të qenit nënë.

Unë jam nëna e dy adoleshentëve. E kam nisur vërtet nga të qenit nënë dhe më kujtohet një thënie që thoshim “fëmijët e vegjël, probleme të vogla, fëmijët e mëdhenj, probleme të mëdha”. Fëmijët kur fillojnë moshën e adoleshencës ne themi se ata bëhen agresivë, por jo, ata rriten dhe kanë shumë gjëra për të kuptuar. Vetë puberteti është një gjë që ata nuk e kuptojnë dhe kjo sjell problemet e veta. Dhe unë kam thënë, ku çalon? Ne prindërit duhet t’u qasemi atyre. Kështu që thashë pse jo? Një program që u dedikohet të rinjve dhe të flasim me gjuhën e tyre”, theksoi Selimllari.

Në emisionin që starton sonte në 20:35, Selimllari tha se do të jenë 40 të rinj që do të sjellin idetë mbi tematika të caktuara.

Mendoj se të rinjtë e sotëm nuk kanë asnjë kompleks, por nuk është aq e vërtetë se kanë edhe ata komplekset e tyre. Një nga qëllimet e mia është që të jemi pa doreza dhe të mos shqetësohemi se kush dhe si do të na gjykojnë. Sonte kemi një temë interesante të raportit prindër-fëmijë dhe mësues. Unë them që dy njerëzit më të rëndësishëm në jetë janë mësuesit dhe prindërit”, shpjegoi Selimllari.