Ekonomia shqiptare dhe treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të saj, janë në një trend pozitiv zhvillimi.
Deklarata vjen nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në konferencën për mediet, ku theksoi se, “aktiviteti ekonomik ka pasur një rritje solide gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, inflacioni është në nivele të ulëta, borxhi publik dhe ai i huaj kanë shënuar rënie, bilancet e sektorit bankar mbeten të shëndetshme, ndërsa kreditimi po shfaq një rritje progresive”.
Guvernatori vuri në dukje se, sipas INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 4% gjatë gjysmës së parë të vitit.
“Të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se ky ritëm rritjeje do të vijojë edhe në gjysmën e dytë të vitit. Rritja ekonomike e vitit 2024 është mbështetur në masën më të madhe nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve në ekonomi. Paralelisht me të, edhe zgjerimi i eksportit të shërbimeve ka pasur një ndikim pozitiv, kryesisht në sajë të rritjes së të ardhurave të turizmit”, tha ai.
Sejko theksoi se, “në aspektin makroekonomik, trendi pozitiv i rritjes është ndikuar nga bilancet e shëndosha financiare të bizneseve dhe të familjeve, nga rritja e të ardhurave, nga optimizmi për të ardhmen, si dhe nga kushtet e favorshme të financimit”.
Ndërkohë inflacioni i çmimeve të konsumit regjistroi një nivel mesatar prej 2% gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar një rënie të lehtë ndaj tremujorit paraardhës.
Sipas tij, rënia e inflacionit gjatë kësaj periudhe është diktuar nga rënia e çmimit të naftës dhe rritja më e ngadaltë e çmimit të qirave. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimit të ushqimeve shënoi një rritje të lehtë.
Banka e Shqipërisë parashikon, një rritje të mëtejshme, të qëndrueshme e të vazhdueshme të aktivitetit ekonomik, të shoqëruar me rritje të punësimit e të pagave.
“Ritmi i rritjes ekonomike pritet të luhatet pranë potencialit në horizontin afatmesëm, duke mundësuar një shfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Paralelisht me të, inflacioni pritet të luhatet pranë niveleve aktuale gjatë tremujorit të fundit të vitit, dhe të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë vitit të ardhshëm”, deklaroi Sejko, teksa nënvizoi se, politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur një kontribut të rëndësishëm pozitiv në këtë ecuri.
/ rtsh.al /