RTSH 24 Live

Politikë

Seanca maratonë-Mandati i deputetes socialiste Olta Xhaçka nuk shkon në Kushtetuese

13/09/2024

Seanca maratonë-Mandati i deputetes socialiste Olta Xhaçka nuk shkon në Kushtetuese

Mandati i deputetes së Partisë Socialiste Olta Xhaçka nuk do të interpretohet në Gjykatën Kushtetuese. 

Pas një seance maratonë, Kuvendi nuk i hapi rrugë kërkesës së opozitareve për interpretimin e  papajtueshmërisë së mandatit të Xhaçkës.

 25 vota pro, 9 kundër dhe 65 abstenim mori projektvendimi “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali bëri me dije se do i drejtohet Komisionit të Venecias për mendim të specializuar.

Ky votim u kundërshtua nga opozitarët të cilët e cilësuan si të turpshëm.

“Teksa Kuvendi ka zbatuar gjithë procedura parlamentare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, meqë ky vendim nuk miratohet, pasi nuk arriti shumicën e kërkuar nga ligji, nesër i drejtohem Komisionit të Venecias për mendim të specializuar mbi standartet e zbatueshme në vendimarrjet e pushtetit legjislativ, raportin dhe konkurueshmërinë e parimeve të parashikuara në të drejtën kushtetuese dhe për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit”, u shpreh Spiropali.

Pak para hedhjes në votim, kreu i grupit parlamentar demokrate Gazment Bardhi kërkoi leximin e raporteve, kërkesë e cila nuk u pranua nga kryeparlamentarja Spiropali e cila u shpreh se mocionet për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit nuk janë objekt diskutimi në seancë plenare.

Sipas rregullores së Kyvendit, pas plërfundimit të shqyrtimit nga këshilli i legjislacionit ose raporti i përbashkët ose i veçuar, i prezantohet para votimit të projektvendimit seancës plenare.

Nuk ka ndodhur kurrë që këshilli i legjislacionit të prezantojë në seancë rekomandimet e veta. Ose do duhet ta bëni ju sipas rregullores ose do duhet që anëtarët e këshillit të prezanojnë leximin e raportit në seancë plenare”, tha Bardhi.

Çfarë vendosi Kushtetuesja

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka kërkuar më herët që Kuvendi i Shqipërisë të dërgonte në Kushtetuese mocionin e deputetëve për mandatin e deputetes, Olta Xhaçka.

Gjykata ka theksuar se vendimi i saj që ka vendosur detyrimin e Kuvendit për të dërguar në Gjykatë mocionin e 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, dhe më pas do të jetë ky institucion që do të shqyrtojë nëse duhet t’i hiqet apo jo mandati.

Në përfundim Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi çështjen në seancë publike me pjesëmarrjen e palëve, konstatoi se vendimi i saj i datës 23/ 01/ 2023 nuk është ekzekutuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Sipas GJK, është vlerësuar se Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit dhe se asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë.

/rtsh.al/