Sikurse nata e parë, edhe nata e dytë e edicionit të 75-të të Festivalit të Sanremos dhuroi emocione dhe spektakël të vërtetë të muzikës italiane.
Carlo Conti kishte zgjedhur që në këtë mbrëmje të shoqërohej nga supermodelja Bianca Balti, nga kantautori dhe tekstshkruesi Cristiano Malgioglio, si edhe nga komediani Nino Frassica.
Spektakli i cili zgjati deri pas mesnate nisi me kategorinë e të rinjve ku Aleks Uajs dhe Setembre kaluan në fazën tjetër.
Nga 29 artistë në garë, në mbrëmjen e dytë interpretuan vetëm 15 prej tyre, ndërsa 14 artistët e tjerë do të interpretojnë sonte në natën e tretë. Edhe në këtë mbrëmje nuk munguan të ftuarit specialë nga fusha të ndryshme si humori, batutat dhe spektakli i vërtetë.
Një moment i veçantë ishte edhe homazhi që u përcoll për kantautorin Lucio Dalla ku artisti Damiano David riktheu për publikun italian një nga këngët më të bukura të kantautorit, “Felicita”.
Mbrëmja u mbyll me renditjen e 5 artistëve më të mirë.
Sanremo do të vijojë edhe sonte në mbrëmje me natën e tretë.
Publiku shqiptar mund ta ndjekë festivalin edhe në RTSH Muzikë dhe RTSH 2 nën komentin e Elona Jaçellarit dhe Andri Xhahut.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/