RTSH 24 Live

Muzikë

Mesazhe për të rinjtë me aftësi ndryshe në natën e tretë të Sanremos

14/02/2025

Mesazhe për të rinjtë me aftësi ndryshe në natën e tretë të Sanremos

Është mbyllur nata e tretë e edicionit të 75-së të Festivalit të Sanremos. Në këtë natë u përcoll emocion, humor dhe spektakël, ndërsa nuk munguan të ftuarit specialë dhe mesazhet e përcjella.

Carlo Conti u shoqërua në ketë mbrëmje nga 3 personazhe mjaft të njohura në karrierën e tyre, aktorja dhe Miss Italia 2008 Miriam Leone, këngëtarja dhe prezantuesja Elettra Lamborghini si edhe komediania Katia Follesa.

Gjatë mbrëmjes performuan 14 artistë në garë, ndërsa në përfundim 5 prej tyre u zgjodhën ndër më të pëlqyerit e mbrëmjes.

Grupi Duran Duran, 40 vite pas pjesëmarrjes së tyre në Sanremo u rikthyen si të ftuar specialë në skenë dhe performuan një kolazh me këngët e tyre. Në skenë u ngjit edhe artisti shqiptar Ermal Meta, fituesi i Sanremo 2017.

Një moment i veçantë ishte kur në skenë u ngjit regjisori dhe themeluesi i Teatrit Patologjik Dario D'Ambrosi dhe aktorët e këtij teatri të cilët përcollën mesazhe të rëndësishme për problemet e shëndetit mendor si edhe dhuruan një numër spektakli.

Këngëtarja dhe prezantuesja Iva Zanicchi mori çmimin e Karrierës në këtë mbrëmje, ndërsa në kategorinë e propozimeve të artistëve të rinj, fitues u shpall Setembre.

Sanremo po ndiqet nga një numër i lartë shikuesish jo vetëm në publikun italian por edhe më gjerë.

Sanremo do të vijojë sonte në mbrëmje me natën e nostalgjisë, ndërsa publiku shqiptar mund ta ndjekë edhe në RTSH 1 dhe Radio Tirana 1 nën komentin e Andri Xhahut dhe Elona Jaçellarit.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/