RTSH 24 Live

Muzikë

"Miqtë e Pasdites", maestro Gridi Kraja - karriera dhe stina koncertore në RTSH

17/02/2025

"Miqtë e Pasdites", maestro Gridi Kraja - karriera dhe stina koncertore në RTSH

Maestro Gridi Kraja mund të konsiderohet një artist me "A" të madhe.

Ai është drejtuesi i një prej orkestrave më të rëndësishme në Shqipëri, siç është Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, në të cilën ka luajtur edhe babai i tij si instrumentist.

Si një nga të ftuarit e veçantë të emisionit "Miqtë e Pasdites" në RTSH 1, mjeshtri tregoi për fillesat në karrierë, kur me të atin shkonin nëpër koncerte që në moshën 9-vjeçare.

Mësimet e tij të para maestro Kraja i mori në violinë, më pas në perkusion dhe në moshën 15-vjeçare u bë timpanist i Orkestrës së RTSH-së, duke hapur rrugën për vazhdimin e studimeve të larta për dirigjim.

Pjesë nga intervista në studio me maestro Gridi Krajën

Ti ke një muzë?

Muza ime është vetë muzika. Ky profesion këtë të mirë ka. Ndërkohë që punon dhe ushtron profesionin merr edhe kënaqësinë e artit e muzikës. Sigurisht kur rritesh me një muzikë të tillë të bëhet pjesë e pandarë e jetës. Muza është vetë muzika, një shoqëruese shumë frymëzuese.

Si është roli i dirigjentit në Shqipëri? Ka një ndryshim nga Shqipëria me jashtë shtetit?

Ka shumë ndryshim. Fatkeqësisht Shqipëria ka shumë pak orkestra. Nuk ke shumë hapësira për të bërë një karrierë të jashtëzakonshme apo për të krijuar lidhje me orkestrat jashtë. Numri i minimizuar i orkestrave në Shqipëri, dy a tre të mirëfillta, sjell një lloj mangësie kur mund të dirigjoje orkestra të qyteteve të tjera, siç ndodh në shtetet europiane, ku thuajse në çdo qytet ka një orkestër.

E kishe menduar kur ishe adoleshent që do të kishe arritur këtu ku je?

Nuk e di nëse kur isha adoleshent e mendoja se çfarë do të ndodhte. Nuk e mendoja që do isha dirigjent i Orkestrës së RTSH-së. Tani që jam, jam vërtet i kënaqur, një objektiv i arritur me punë e me fat. Unë kam disa ëndrra si këto. Nuk i them. Berlini, Vjena, Skala... janë orkestra që ti i ëndërron, por të vjen zor të thuash që i ëndërron, sepse janë gjëra shumë të vështira për t'u arritur. Nuk mjafton vetëm talenti muzikor, por janë edhe çështje menaxheriale.

Po sikur të bëhet një telefonatë nga një menaxher ose një bashkëpunim, një kontratë, për Vjenën. Do kishe ikur?

Unë jam tifoz i madh i Shqipërisë dhe mendoj se sa më shumë njerëz duhet të jetojnë në Shqipëri. Shqipëria është një vend i begatë dhe këtë e kam kuptuar kur isha në Kinë. E kisha shumë të vështirë atje që të menaxhoja veten time dhe të përshtatesha me shtetin kinez. Ata ishin një popull shumë strikt me çdo gjë, mirëpo nuk arrija ta perceptoja mënyrën si ushqeheshin apo gratë të veshura si ushtare. Do ikja nga Shqipëria vetëm përkohësisht për diçka që mund t'ia vlejë financiarisht dhe profesionalisht. Jam shumë i lidhur me njerëzit e mi dhe e kam vështirë të shkëputem gjatë.

/rtsh.al/