“Bashkimi Evropian është i kompletuar vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tij” ishte mesazhi që kancelari gjerman Olaf Sholc (Scholz) dha para liderëve të rajonit në Samitin e Procesit të Berlinit.
Teksa procesi i Berlinit shënon 10 vite që nga krijimi i tij nga ish kancelarja Angela Merkel, Sholci e cilësoi këtë proces si angazhimin më të mirë rajonal që do të përshpejtojë integrimin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për ta thënë thjesht, dhe besoj se flas në emër të të gjithëve të mbledhur sot këtu, Bashkimi Evropian është i kompletuar vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tij,” tha kancelari gjerman.
Sholci u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më shumë në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, ndërsa shtoi se do të angazhohet personalisht për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Ne kemi nevojë për një dinamikë të re në procesin e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kështu që unë dëshiroj t'u them sot miqtë tanë nga Beogradi dhe Prishtina: ju lutemi mos lejoni që e kaluara t'ju pengojë në rrugën tuaj drejt një të ardhmeje paqësore dhe të begatë. Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi”, tha kancelari Sholc.
Pjesë e samitit është edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka ndarë një foto nga takimi ku ai është duke diskutuar me kancelarin dhe me ministren e Jashtme gjermane, Analena Baerbok.
Në Samitin e Procesit të Berlinit pritet që të nënshkruhet marrëveshja me planin e veprimit për një treg të përbashkët rajonal 2025–2028 dhe një marrëveshje për rritjen e aksesit në institucionet e arsimit të lartë në rajon.
Rezultatet e samitit do të prezantohen në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kancelari gjerman Olaf Sholc dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të cilët gjithashtu do të marrin pjesë në samit në emër të BE-së.
Procesi i Berlinit filloi në vitin 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe qëllimi kryesor i formatit ka qenë t'u mundësojë vendeve të Ballkanit Perëndimor të afrohen më shumë me BE-në, teksa presin që të anëtarësohen në familjen evropiane.
/rtsh.al/