Përtej urimeve për fitoren e Donald Trump si presidenti i 47-të i SHBA-së nga liderët e botës dhe vendet partnere, duket se Rusia dhe Irani nuk do i bashkohen urimit dhe përshëndetjes së tij.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka në plan të përgëzojë Donald Trump, ku zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se “po flasim për një vend jomik”.
“Të mos harrojmë se po flasim për një vend jomik që është i përfshirë drejtpërdrejt dhe indirekt në luftën kundër shtetit tonë. Ka ende disa pritje për të bërë, duke pasur parasysh se presidenti aktual i SHBA-së do të qëndrojë në detyrë për gati një muaj e gjysmë tjetër. Ndërsa ai përgatitet për të hyrë, ose kur ka hyrë tashmë në Zyrën Ovale, ne e kuptojmë se ndonjëherë deklaratat marrin një ton tjetër. Prandaj, ne po analizojmë me kujdes gjithçka, po vëzhgojmë dhe do të nxjerrim përfundime bazuar në fjalë dhe veprime specifike. Ne kemi thënë në mënyrë të përsëritur se SHBA-ja është në gjendje të ndihmojë për t'i dhënë fund konfliktit. Sigurisht, kjo nuk mund të arrihet brenda natës”, tha Peskov.
Kur u pyet nëse Trump mund të ofendohej nga mungesa e urimeve të Putinit, zëdhënësi i Kremlinit tha se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk mund të përkeqësohen më shumë nga sa janë.
“Është praktikisht e pamundur që marrëdhëniet të përkeqësohen më tej. Marrëdhëniet janë aktualisht në pikën e tyre më të ulët historike”, u shpreh Peskov.
Edhe qeveria iraniane nuk ka për të uruar fitoren e Trump, ku zëdhënësja e qeverisë Fatemeh Mohajerani u shpreh se “për Iranin nuk ka dallim të rëndësishëm se kush bëhet president në SHBA”.
“Politikat e përgjithshme të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë të qëndrueshme. Zgjedhja e presidentit të Shteteve të Bashkuara nuk ka asnjë lidhje me Iranin dhe se politikat e përgjithshme të SHBA-së dhe Iranit janë të pandryshuara” është shprehur Mohajerani.
Donald Trump arriti një fitore të sigurt ndaj rivales së tij Kamala Harris. Ai do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë duke u bërë presidenti i 47-të i SHBA-ve, ndërsa mbajti dhe një fjalim ku shpalli fitoren para mbështetësve të tij.
/rtsh.al/