Republikani Donald Trump siguroi fitoren e zgjedhjeve presidenciale duke u bërë Presidenti i 47-të i SHBA-ve. Politika shqiptare ka uruar Trump për fitoren e tij, ndërsa theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit më SHBA si aleati kryesor i Shqipërisë dhe Kosovës.
Rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë konsiderohet si i jashtëzakonshëm dhe historik për SHBA, pasi ai humbi ndaj Xho Bajden (Joe Biden) në vitin 2020.
Rama uron Trump për fitoren e zgjedhjeve: Mezi pres të punojmë për forcimin e partneritetit mes dy vendeve
Kryeministri Edi Rama ka uruar Republikanin Donald Tramp (Trump) për fitoren e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa e cilësoi një fitore të jashtëzakonshme, Rama deklaroi se do të jetë i privilegjuar të punojë me Presidentin e 47-të të SHBA-ve për të përmirësuar më tej partneritetin për paqe, prosperitet dhe përparim.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare nuk la pa përmendur edhe Xho Bajden (Joe Biden) për të cilin tha se ka qenë një nder të punonte krah tij për forcimin e lidhjes Shqipëri-SHBA.
“Urime për @realDonaldTrump në këtë fitore të jashtëzakonshme. Ishte një nder i vërtetë të punoja përkrah Presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen mes dy vendeve tona. Mezi pres privilegjin e madh të punoj me Presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm”, shkroi Rama në rrjetin social X.
Begaj uron Trump: Të forcojmë partneritetin strategjik
Presidenti Bajram Begaj, ka uruar Donald Trump për fitoren në zgjedhjet Presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një mesazh të posaçëm të postuar në platformën X, Presidenti Begaj u shpreh se pret të forcojë me tej bashkëpunimin, duke theksuar se Shqipëria vlerëson miqësinë e gjatë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Urime për fitoren në zgjedhje, @realDonaldTrump! Shqipëria vlerëson miqësinë tonë të gjatë dhe partneritetin strategjik, dhe unë pres që ta forcojmë më tej këtë bashkëpunim të ngushtë”, - shprehet Begaj, në mesazhin e urimit.
Berisha: Trump triumfoi
“Trump triumfoi”, kështu e ka nisur urimin ndaj Republikanit Donald Trump, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha. Ky i fundit në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se qytetarët amerikanë u ngritën mbi hipokrizinë dhe mashtrimin, duke zgjedhur Traump si Presidentin e 47-të të SHBA-ve.
“Kombi i madh amerikan në zgjedhjet e tij më historike riktheu madhërishëm në Shtëpinë e Bardhë, President të 47-të të SHBA, Zotin Donald Trump. Me votën e tyre plebishitare, qytetarët amerikanët u ngritën mbi hipokrizinë, mashtrimin, përpjekjet për t’ iu diktuar me të gjitha mjetet udhëheqësin e tyre dhe rikthyen, zgjodhën për të ardhmen e ndritur që meritojnë, Donald Trump President të 47-të të vendit të tyre. Ata votuan për vlerat themelore të njeriut dhe njerëzimit që ndajnë dhe mbrojnë njerëzit e lirë në mbarë botën, votuan për begatimin e tyre dhe paqen në botë. Me Presidentin Donald Trump, SHBA, aletatët dhe partnerët e tyre në këtë kohë luftërash janë më të sigurtë se kurrë më parë. Por qytetarët amerikanë votuan gjithashtu për shpëtimin e vendit të tyre dhe jo vetëm atij nga mafia më e rrezikshme e kohërave, mafia e George Soros”, shkruan Berisha.
Meta: Triumfi i Trump, mesazh i çmuar ndaj botës
Edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar nga burgu Donald Trump për fitoren e zgjedhjeve presidenciale. Fitorja e Trump për Metën, është cilësuar një triumf dhe mesazh i çmuar që kombi amerikan i jep botës se fati i demokracisë është në duart e qytetarëve.
“Urimet më të përzemërta, në emrin tim dhe të Partisë së Lirisë, për Ju President i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për këtë Fitore të Madhe dhe rikthim të merituar dhe me plot sakrifica të betejës Tuaj të pandalshme për mbrojtjen e vlerave të SHBA dhe kombit mik amerikan.
Triumfi Juaj është një mesazh i çmuar që kombi amerikan i jep botës se fati i demokracisë është vetëm në duart e qytetarëve dhe se sa të shtrenjta janë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, demokracia dhe pluralizmi, shteti i së drejtës dhe barazia para ligjit edhe për qytetarin e thjeshtë përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese anti-vlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë.
Besimplotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën lidershipin Tuaj, Zoti President, do të vazhdojnë të jenë frymëzim dhe mbështetje e pazëvendësueshme për popullin shqiptar”, deklaroi Meta.
Ky i fundit garantoi se Partia e Lirisë do mbetet e angazhuar në forcimin e partneritetit dypalësh strategjik në fushën e sigurisë dhe NATO.
“Partia e Lirisë do të mbetet gjithmonë e angazhuar për forcimin e mëtejshëm të Partneritetit dypalësh Strategjik në fushën e sigurisë dhe në NATO dhe besoj se, nën drejtimin Tuaj, ne do t’i forcojmë këto lidhje dhe zgjerojmë më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat, në interes të të dy vende dhe popujve tanë miq”, thotë Meta.
Osmani uron Trump: SHBA mbetet partner i palëkundur i Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Donald Trump për fitoren dhe zgjedhjen e tij si president i 47-të i SHBA-së. Osmani e cilëson SHBA-në si partnerin e domosdoshëm të Kosovës, ndërsa thekson forcimin e lidhjes mes dy vendeve.
“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh urimet tona të përzemërta Donald Trumpit dhe James David Vance për zgjedhjen e tyre si president dhe zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara. SHBA mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, liderin e botës së lirë!”, shkruan Osmani në platformën X.
Haradinaj uron Trumpin: Nën udhëheqjen e tij themeluam Ushtrinë e Kosovës
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka uruar kandidatin republikan Donald Trump, për rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Duke uruar fitoren, Haradinaj shkruan në rrjetet sociale se nën udhëheqjen e Trumpit, Kosova kishte krijuar Ushtrinë.
“Urime popullit amerikan për një proces zgjedhor që pasqyron vlerat e demokracisë dhe fuqinë e vullnetit të lirë të qytetarëve të tij. Një urim i veçantë për Presidentin Donald Trump për zgjedhjen e tij. Nën udhëheqjen e President Trump kemi krijuar Ushtrinë e Kosovës, jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati ynë më i fortë dhe i palëkundur”, ka pohuar ai.
Më tej, ai ka shtuar se “në këtë rrugëtim për konsolidimin e shtetit dhe synimin tonë afatshkurtër drejt anëtarësimit direkt në NATO, mbështetja e SHBA-së mbetet kyçe”
/rtsh.al/