RTSH 24 Live

Zgjedhjet në SHBA

Trump sërish president i SHBA, Bumçi: Do të rikthejë një stabilitet më të madh botëror

2 orë para

Trump sërish president i SHBA, Bumçi: Do të rikthejë një stabilitet më të madh botëror

Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi e sheh mjaft pozitive për rendin botëror fitoren e Donald Trump si president të SHBA. Në një lidhje për RTSH24, Bumçi tha se gjatë 4 viteve të qeverisjes së Joe Biden, autoriteti i Amerikës ka rënë në botë, teksa theksoi se pret që Trump ta rikthejë sërish SHBA në pozitat që ka patur. Sipas tij, kjo do të çojë edhe në rikthimin e një stabiliteti në botë.

Ky është një moment shumë i vështirë, pas Luftës së Ftohtë është kriza më e madhe që bota po përjeton. Duhet të shohim si u soll Trump kur ishte president. Bota nuk ishte në këtë krizë, nuk kishte luftë në Ukrainë dhe as në Lindjen e Mesme dhe autoriteti i Amerikës ishte i fortë në botë. Largimi i rrëmujshëm pa dinjitet nga Afganistani dobësoi autoritetin e Amerikës. Humbja e autoritetit u tregua në agresionin rus në Ukrainë, në konfliktin në Lindjen e Mesme. Pra gjatë presidencës së Trump nuk kishim këto kriza dhe kishim Amerikë me autoritet. Unë shpresoj që Amerika të rikthehet me autoritetin e saj të plotë. Është një rikthim i fuqishëm i Trump. Kam besim që me Presidentin Trump të rikthehet një stabilitet më i madh botëror”, u shpreh ai.  

Lidhur me ndikimin që do të ketë kjo presidencë e Trump në Europë, Bumçi tha se, sipas tij, do të ndërtohet një marrëdhënie më pragmatike. I pyetur për Kosovës, ish-ministri i Jashtëm ndau mendimin se do të jetë vijimësi e së njëjtës politikë që mbështeti pavarësinë e Kosovës.

Mendoj që do të ndërtohet një marrëdhënie pragmatike mes Europës dhe Amerikës. Trump hyn në Shtëpinë e Bardhë me përvojë. I takon popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të qëndrojnë për interesat dhe vlerat. Trump priti në zyrën e tij presidentin e Kosovës në atë kohë, zotin Hoti dhe presidentin serb, u bë një marrëveshje ku edhe Izraeli e njohu Kosovën. Besoj se do të ketë vijimësi të asaj politike që mbështeti pavarësinë e Kosovës, rritjen e shteteve që e njohu atë dhe marrëveshje për të rritur investimet  e huaja në Kosovë”, u shpreh Bumçi.

/rtsh.al/