Donald Trump ka shpallur fitoren në zgjedhjet amerikane, teksa iu drejtua mbështetësve në Florida. Ai e konsideroi këtë fitore “të jashtëzakonshme”, teksa tha se do të punojë për ta ndihmuar vendin “të shërohet”.
Ai tha se qytetarët i kanë dhënë një mandat të paprecedentë dhe të fuqishëm, teksa theksoi se do të punojë për ta bërë “Amerikën sërish të madhe”.
“Dua tju falënderoj të gjithëve, kjo është një lëvizje që askush nuk e kishte parë më parë dhe sinqerisht besoj se është lëvizja më e madhe politike në të gjitha kohërat në SHBA. Ne do të përpiqemi të ndihmojmë vendin tonë të shërohet, do të rregullojmë çdo gjë në Amerikë. Nuk do të jetë vetëm kjo, u rikthyem edhe kur gjithkush mendonte se ishte pamundur. Por ka ndodhur, mendoni se është e mrekullueshme. Vendi ynë asnjëherë nuk ka përjetuar diçka të tillë më parë. Kam luftuar për ju, për të ardhmen tuaj, do të luftoj për ju çdo ditë. Nuk do të pushoj deri sa ta bëjmë Amerikën sa më të begatshme që t’i japim fëmijëve tanë atë që meritojnë. Ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri. Kemi fituar në shtetet fushëbeteje në Karolinën e Veriut, jemi duke fituar në Xhorxhia, Pensilvani, Miçigan, Arizona, Nevada. Parashikojmë të paktën 315 vota elektorale. Gjithashtu kemi edhe votën popullore dhe kjo është madhështore. Është një mandat i fuqishëm, kontrollojmë gjithashtu edhe Senatin”, tha Trump.
Një fjalë përshëndetëse para mbështetësve mbajti edhe kandidati për zv.president, JD Vance, ku premtoi se me presidentin e ri Trump në krye, SHBA do të ketë kthimin më të madh ekonomik në histori.
“Zoti president vlerësoj që ne po luftojmë për ëndrrat tuaja, për të ardhmen e fëmijëve dhe kthimin më të madh ekonomik në historinë e SHBA-së nën udhëheqjen e Trump. Doli që ishte një zgjedhje shumë e mirë”, u shpreh Vance.
Republikani ka fituar shtetet e fushëbetejës të Pensilvanisë, Karolinës së Veriut dhe Gjeorgjisë, duke kaluar në epërsi të dukshme në krahasim me Kamala Harris. Rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë konsiderohet si i jashtëzakonshëm dhe historik për SHBA, pasi ai humbi ndaj Joe Biden në vitin 2020.
/rtsh.al/