Qeveria amerikane e drejtuar nga presidenti republikan Donald Trump nuk pritet të ketë pengesa të mëtejshme në zbatimin e programit politik.
Me fitoren e fundit në Arizonë dhe të mërkurën në mëngjes në Kaliforni, Partia Republikane ka siguruar 218 nga 435 karriget e Dhomës së Përfaqësuesve, dhomës së ulët legjislative të Kongresit amerikan. Bashkë me zgjedhjet e 5 nëntorit republikanët morën kontrollin edhe të Senatit.
Presidenti i zgjedhur Trump ka shpalosur një vizion më konservator për rrugën ku do të ecin Shtetet e Bashkuara, "Amerika e Para", duke nisur nga operacioni për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm me historik kriminal, te ulja e taksave dhe transformimi i ekonomisë amerikane.
Këtë herë, ndryshe nga viti 2016 kur Trump fitoi mandatin e parë presidencial, edhe krerët e Partisë Republikane janë shprehur në mbështetje të programit. Përveç Kongresit, edhe Gjykata e Lartë e SHBA-së tani përbëhet nga gjyqtarë kryesisht të bindjeve konservatore, pasi tre janë zgjedhur nga vetë presidenti Trump. /AP
/rtsh.al/