RTSH 24 Live

Ekonomi

Rrugët me pagesë, qeveria krijon Entin Kombëtar të Operimit Rrugor

06/11/2024

Rrugët me pagesë, qeveria krijon Entin Kombëtar të Operimit Rrugor

Qeveri vendosi të mërkurën për krijimin e shoqërisë aksionare, me kapital 100 (njëqind) % shtetëror, me emërtimin “Enti Kombëtar i Operimit Rrugor”, me qëllim ofrimin e shërbimit të operimit për mundësimin e aksesit në rrugë të përdoruesve.

EKORR, sh.a.-ja, ofron kundrejt pagesës shërbimin e operimit dhe çdo shërbim tjetër, në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfaqëson shtetin si pronar të 100 (njëqind) % të aksioneve të shoqërisë dhe brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi ndjek procedurat e nevojshme ligjore për themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare; regjistrimin e shoqërisë aksionare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

“Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë aksionare të jetë 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë. Vlera prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh transferohet nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pranë shoqërisë EKORR, sh.a., menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit.”, thuhet në vendim.

Objekti i veprimtarisë

EKORR, sh.a.-ja, ka si objekt të veprimtarisë operimin e rrugëve me pagesë; mirëmbajtjen e infrastrukturës së operimit, e cila përfshin sistemin e portave të automatizuara për lejimin e hyrje-daljeve në rrugë, sistemin elektronik për mbledhjen e tarifave dhe serverat e nevojshëm për mbajtjen e përpunimin e të dhënave dhe të arkëtimeve përkatëse; prodhimin dhe shpërndarjen e biletave të pajtimit mujor (aboneve) për përdoruesit e rrugëve me pagesë; arkëtimin e tarifës në rrugët me pagesë; monitorimin dhe koordinimin e shërbimit të operimit në rrugët me pagesë, operimi i të cilave kryhet nga shoqëritë koncesionare përkatëse; sigurimin e sistemeve dhe aplikacioneve elektronike për menaxhimin dhe përdorimin e portave të automatizuara për lejimin e hyrje-daljeve në rrugë, për mbledhjen e tarifave dhe serverave të nevojshëm për mbajtjen dhe përpunimin e të dhënave e të arkëtimeve përkatëse.

Për rrugët me pagesë, të cilat nuk janë në kontrata koncesioni dhe mirëmbahen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, EKORR, sh.a.-ja, lidh marrëveshje të veçantë me Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Në marrëveshjen e veçantë, ndër të tjera, parashikohen dispozita për arkëtimin e tarifës dhe të ardhurave të tjera nga operimi i rrugës, si dhe për tarifën që EKORR, sh.a.-ja, përfiton për kryerjen e veprimtarive përkatëse.

EKORR, sh.a.-ja, mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj.

Financimi

Shoqëria aksionare financohet nga të ardhurat e veta nga ofrimi i shërbimeve dhe burime të tjera të ligjshme. Të ardhurat e shoqërisë aksionare përdoren për ushtrimin e veprimtarisë së saj.

Burimi i të ardhurave të EKORR, sh.a.-së, janë  të ardhurat nga tarifa vjetore që përftohet nga shoqëritë koncesionare që kryejnë shërbimin e operimit në rrugët kombëtare me pagesë; të ardhurat nga tarifa që përftohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar; të ardhurat nga arkëtimi i tarifës në rrugët me pagesë; të ardhura të tjera të ligjshme të cilat vijnë nga kryerja e veprimtarive; të ardhura të tjera të lejuara, si: grantet dhe huatë.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i siguron shoqërisë aksionare mjediset e punës, të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2024, në programin “Transporti rrugor”.”, thuhet vendim.

/rtsh.al/