RTSH 24 Live

Rajon

Rritja e rolit të SHBA-së në rajon, eksperti amerikan: Është i interesuar vetë presidenti Biden

23/10/2021

Rritja e rolit të SHBA-së në rajon, eksperti amerikan: Është i interesuar vetë presidenti Biden
Charles Kupchan, ekspert i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara

Charles Kupchan, ekspert i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se rajoni i Ballkanit gjendet në listën e prioriteteve të administratës amerikane. Kupchan, njëherësh profesor në Universitetin Georgetoën në Uashington, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të bashkojnë forcat për zgjidhje të mosmarrëveshjeve në rajonin e Ballkanit, në mënyrë që të mbajnë larg ndikimin e Rusisë dhe Kinës.

Sipas tij, Christopher Hill, i nominuari i presidentit amerikan, Joe Biden, për ambasador në Serbi, është njeri me përvojë të jashtëzakonshme në Ballkan dhe nam të madh në Uashington, si dhe me shumë peshë në qarqet diplomatike. Ai u shpreh se mendon që këto janë edhe përpjekje për të investuar në diplomatë të karrierës në shërbim të jashtëm, për t’u rimëkëmbur nga epoka e (ish-presidentit amerikan, Donald) Trump, kur nuk ka pasur shumë performancë të mirë në Departamentin e Shtetit. Prandaj mendoj se është kombinim i përfshirjes së profesionistëve të karrierës dhe shqetësimeve të presidentit për Ballkanin.
Në këtë rajon janë duke u dërguar diplomatë me përvojë, qoftë si ambasadorë apo edhe zëvëndës-ndihmës Sekretari, si dikush me reputacion të madh. Mesazhi që është duke u dërguar është se, SHBA-ja e sheh rajonin si prioritet. Qeveritë në rajon duhet të jenë të përgatitura dhe mund të presin rikthim të angazhimit intensiv amerikan- tha Kupchan.