RTSH 24 Live

Ekonomi

Rritja e pagës minimale/ Edhe 2 ditë afat për përfitimin e kompensimit financiar

18/05/2023

Rritja e pagës minimale/ Edhe 2 ditë afat për përfitimin e kompensimit financiar

Ka edhe dy ditë kohë për të aplikuar për përfitimin e kompensimit financiar për efekt të rritjes së pagës minimale, për të gjithë ata të punësuar që paguhen me pagë minimale.

Qeveria shqiptare ka vendosur përdorimin e fondit të kontingjencës për kompensimin financiar të rritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për çdo të punësuar më pagë minimale, për shkak të rritjes së kësaj page në shkallë vendi

Kështu, subjektet private që kanë të drejtë të aplikojnë për të përfituar nga fondi i kontigjencës për kompensimin financiar janë subjekte juridike apo fizike që kanë të punësuar punëmarrës që paguhen me pagë minimale dhe ushtrojnë aktivitet në fushat e veprimtarisë ekonomike të industrisë përpunuese, peshkimit, bujqësisë dhe pyjeve, të cilat rezultojnë në regjistrin e tatimpaguesve të administratës tatimore

Subjektet private të mësipërme, në zbatim të VKM- së nr. 114 datë 1.3.2023, plotësojnë formularin e kërkesës elektronikisht nëpërmjet portalit e-Albania, në shërbimin “Kërkesë për kompensim financiar të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”. 

Afati i kërkesës është jo më vonë se data 20 e muajit pasardhës, nga muaji i pritshëm i deklarimit, për periudhën që kërkohet kompensim, në të kundërt e drejta e kompensimit për atë periudhë humbet.

Aplikantët, kërkesa e të cilëve nuk është aprovuar ose pranuar pjesërisht, kanë të drejtën e ankimimit pranë drejtorit të drejtorisë rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive AKPA, brenda 3 ditëve pune, nga momenti i publikimit të listës përfundimtare të subjekteve përfituese.

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave, numri i punonjësve me pagë minimale të subjektit aplikues i referohet periudhës kontributive të muajit dhjetor 2022

Ministria e linjës ka saktësuar se shuma totale për çdo kompensim, për çdo muaj do të bazohet në numrin e punonjësve dhe do të jetë në masën 1,674 lekë për çdo punonjës.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë gati listën e punonjësve përfitues brenda. Vendimi përkatës i qeverisë ka hyrë në fuqi në datën 6 Prill, pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/RTSH/