RTSH 24 Live

Ekonomi

Ndryshime në ligjin e akcizave, Mete: Pullat fiskale i kalojnë shtetit, do sjellë ulje të tarifave

26/07/2024

Ndryshime në ligjin e akcizave, Mete: Pullat fiskale i kalojnë shtetit, do sjellë ulje të tarifave

Ministri i Financave Ervin Mete tha se nga 31 dhjetori 2024 shërbimet për pullat fiskale do i kalojën shtetit dhe do jetë monopol i tij duke mbyllur shërbimin me koncesionarin. Për këtë, tha Mete, duhen bërë disa ndryshime në ligjin për akcizat.

“Projektligji që paraqitet sot për shqyrtim vjen për një qëllim specifik. Në ligjin e akcizave ka qenë e parashikuar në disa nene koncesionari që ofron shërbimin e pullave fiskale. Duke qenë se ky koncesion përfundon në 31 dhjetor të këtij viti dhe do t’i kalojë shtetit, janë bërë ndryshimet e nevojshme që si koncesionari, si edhe procedurat që lidhen me të, të hiqen nga ky ligj dhe të theksohet që pullat fiskale janë tashmë monopol shtetëror dhe Këshilli i Ministrave do të përcaktojë një person juridik publik të autorizuar për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, si dhe elementët e sigurisë së tyre, e një sërë nenesh të tjera me të njëjtin qëllim. Në dhjetor të vitit të kaluar pranë Ministrisë së Financave, me urdhër të Ministrit, është ngritur një grup i gjerë pune, përfshirë edhe Avokaturën e Shtetit, për të menaxhuar procesin e daljes. Është përcaktuar një menaxher daljeje dhe një bord për menaxhimin e këtij procesi, i cili përfundon në 31 dhjetor të këtij viti. Nga analiza e akteve ligjore ka lindur e nevojshme të ndryshohet edhe ligji i akcizave për të hequr koncesionarin dhe procedurat e koncesionarit nga ligji”, tha Mete.

Marrja e shërbimit të pullave fiskale nga shteti, për ministrin Mete do të sjellë aplikimin e tarifave më të ulëta për qytetarët dhe bizneset.

“Do të jetë Shtypshkronja e Letrave me Vlerë personi juridik publik në pronësi të shtetit, i cili do të realizojë këtë shërbim në të ardhmen, që e ka pasur të drejtën ligjore për ofrimin e shërbimit  përpara se të jepej me koncesion.  Është një proces që kërkon vëmendje të dedikuar dhe proces të posaçëm në mënyrë që të realizohet në cilësinë e duhur, duke respektuar transferimin e nevojshëm të aseteve dhe të njohurive, Synimi ynë është që në momentin që ky shërbim kalon në menaxhim shtetëror të ofrohen tarifa më të ulëta se ato që aplikohen nga koncesionari, çka besojmë do të jetë lehtësi për komunitetin e biznesit”, tha Mete.

/rtsh.al/