RTSH 24 Live

Ekonomi

Rritet fondi për bashkitë, afro 13% më shumë të ardhura në buxhetin e 2025

31/10/2024

Rritet fondi për bashkitë, afro 13% më shumë të ardhura në buxhetin e 2025

Shpenzimet për buxhetin vendor për vitin 2025 janë parashikuar në masën e 89,9 miliardë lekëve.

Sipas projekbuxhetit 2025, 61 bashkitë e vendit gjate vitit të ardhshëm do të marrin 13,2% më shumë para nga arka e shtetit. Transferta e pakushtëzuar që i jepet bashkive do të jetë 1,8 miliardë lekë më shumë se në 2024-ën.

Risia e këtij viti është buxheti që do të shpërndahet në formë granti për bashkitë, duke u bazuar në performancën e tyre financiare, në mbledhjen e taksave e tarifave, si dhe në transparencën që kanë.

Janë 200 milionë lekë që do të shpërndahen për bashkitë përmes një udhëzimi që do të miratohet nga Ministria e Financave dhe Ministri për Pushtetin Vendor.

Në relacionin e përgatitur nga Ministria e Financave shkruhet se pushteti vendor ka pasur ecuri pozitive dhe ka bërë progres pas reformës së fundit territoriale.

Në relacionin e projektbuxhetit thuhet se bashkitë kanë ulur me 60% detyrimet e prapambetura nga viti 2016 deri në fund të 2023-it, reduktim që ka vijuar edhe gjatë këtij viti.

Konkretisht nga 12,1 miliardë lekë, që ishin borxhet e bashkive në 2016-ën, ato janë ulur në 4,2 miliardë lekë në fund të muajit qershor 2024.

Ministria e Financave thotë se fokusi kryesor në vitin e ardhshëm do të jetë tek forcimi i disiplinës financiare për të parandaluar akumulimin e detyrimeve të prapambetura, të cilat mund të kthehen në një rrezik serioz për njësitë vendore, me ndikim negativ në ekonominë e vendit në tërësi.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/