Interesi i qytetarëve për të bërë check-up në Elbasan ka qenë i lartë.
Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore nr. 1 në Elbasan, Sadete Gjata, shprehet se kjo qendër ofron shërbime mjekësore për afro 30 mijë banorë. Sipas statistikave çdo mjek i saj në muaj bën 400 shërbime të kontrollit shëndetësor për personat 35–70 vjeç.
"Pjesa më e madhe paraqiten me dëshirë dhe duke pasur parasysh që e kryejnë ndër vite, është kthyer në një ekzaminim rutinë. Nuk janë vetëm analizat e shumta që ofron ky kontroll, por me check-up janë diagnostikuar patologji te pacientë, të cilët e kanë menduar veten të shëndoshë, pa asnjë sëmundje, dhe kanë dalë diabetikë apo me probleme me yndyrnat, me hipertensionin," shprehet Dr. Gjata.
Pacientët thonë se check-up i mundëson një sërë analizash, të cilat i përfitojnë falas.
Mjekët këshillojnë që mosha e marrjes së shërbimit të kontrollit mjekësor të zgjerohet akoma dhe më shumë, pasi persona nën 35 vjeç dhe mbi 70 vjeç duan të përfitojnë nga ky shërbim.
/rtsh.al/