Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka deklaruar se vendet e Ballkanit Perëndimor do të lëvizin pa Kosovën drejt bashkëpunimit rajonal, pas vizitës së “passuksesshme” të emisarit të posaçëm gjerman, Manuel Sarrazin, në Prishtinë, në kuadër të përgatitjeve në prag të Procesit të Berlinit.
Këtë gjë ambasadori e ka komentuar dhe në një status në rrjetin social “X” ku shkruan se “emisari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazini vizitoi sërish Kosovën për t’i kërkuar Kurtit të bëjë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kyçe për qytetarët, duke zëvendësuar UNMIK-un dhe sjellur Kosovën në bord, por pa sukses. Nëse është e nevojshme, vendet e tjera të rajonit do të lëvizin pa Kosovën për momentin, për të ecur përpara drejt bashkëpunimit rajonal dhe Procesit të Berlinit”.
Emisari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor takoi javën e kaluar kreun e ekzekutivit kosovar, ku theksoi se vendet e rajonit, posaçërisht Kosova e Serbia, duhet të jenë të gatshme për kompromise në rrugën e tyre drejt bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Evropian (BE).
Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht i është kërkuar që të angazhohet urgjentisht në aktivitetet e bashkëpunimit rajonal dhe të respektojë obligimet që burojnë nga Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA dhe nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), duke hequr në këtë mënyrë edhe vendimin për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.
Gjithashtu, sipas Rohdes, duke qenë se Kosova ende përfaqësohet në CEFTA përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), emisari i posaçëm s’ka arritur të bind Kurtin të bëjë kompromis: Kosova e përfaqësuar në CEFTA në këmbim të heqjes së ndalesës për mallrat serbe.
/rtsh.al/