RTSH 24 Live

Kulturë

Rivitalizimi i sallës së orkestrës, skenografi Minga: RTSH, parajsë e pazbuluar

02/04/2024

Rivitalizimi i sallës së orkestrës, skenografi Minga: RTSH, parajsë e pazbuluar

Skenografi Fatmir Minga ka treguar në emisionin “Jetë Shqiptare” se si u punua salla e orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar për ta sjellë atë në kushte bashkëkohore.

Minga theksoi RTSH është një parajsë më vete dhe sa më shumë të gërmosh aq më shumë zbulon aty ku nuk është vendosur dorë më parë. E tillë sipas tij ishte edhe salla e orkestrës së RTSH-së.

Ai u shpreh se është bërë një punë me vendosmëri maksimale duke i shkuar në çdo detaj e duke e çuar deri në fund.

Këtu është një parajsë e pazbuluar ky televizion. Ka çudira për të zbuluar. Duhet të eksplorosh me shumë dëshirë dhe dashuri. Duhet të gërmosh pa fund por ka karatë të mirë.

Ishte një diamant i mirë por ishte i mbuluar nga pluhuri por nuk vezullonte por një sy i vëmendshëm e zbuloi që ky po të pastrohet, po të kurohet del në pah. Këtu ka qenë, por s’e kanë parë.

Dikush e pa, u tregua më i vëmendshëm, më guximtar, më optimist dhe vendosi ta bëjë. Kështu nisi. Por kjo është pjesa e parë e guximit, e dëshirës pastaj dalin pafundësisht probleme që aty lodhemi, aty mërzitemi, aty anashkalojmë gjërat. Mirëpo gjërat shkuan me vendosmëri maksimale deri në fund”, u shpreh Minga.

Salla e orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar u krijua në vitin e largët 1962, si një aset kombëtar, kontributor për kolonat zanore që i shërbenin kohës, por edhe Radio Televizionit, që u krijua po në ato vite.

Tashmë salla e orkestrës së RTSH-së është sa klasike, moderne aq edhe unikale për nga parametrat akustike.

Salla tanimë është gati për çdo stinë koncertore. Rivitalizimi i saj ishte pjesë e rikthimit në identitet të gjitha ambienteve rrotull saj, të cilat tanimë kanë marrë formë për ta rikthyer sërish RTSH e madhe në epokën digjitale.

/rtsh.al/